Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në misionin e EULEX në Kosovë

15/10/2008

BRUKSEL, Belgjikë -- Këshilli i ministrave i BE miratoi të martën (14 tetor) një propozim për pjesëmarrjen e SHBA në misionin EULEX të BE në Kosovë. Uashingtoni ka siguruar se zyrtarët e tij do të "marrin pjesë në mision në përputhje me planin e përbashkët të veprimit dhe operacional të EULEX". Sipas marrëveshjes, Yves de Kermabon do të komandojë dhe kontrollojë të gjithë ekipet dhe njësitë që tani përfshijnë 500 anëtarë ndërkombëtarë dhe rreth 200 vetë personel lokal. Zyrtarët e Kosovës thonë se vendosja është konsideruar një "nevojë e menjëhershme".

Në lajme të tjera të martën, ministri i financave Ahmet Shala tha se Kosova ka gjasa të bëhet anëtare e FMN dhe Bankës Botërore shumë shpejt, ndoshta vitin tjetër. Gjatë një vizite zyrtare në Uashington, Shala i tha BBC se shumica e vendeve anëtare të FMN mbështesin anëtarësimin e Kosovës. Serbia dhe Rusia nuk do të qenë në gjendje të bllokonin masën, shtoi ai.

Gjithashtu të martën, Emiratet e Bashkuara Arabe njohën pavarësinë e Kosovës, i pari vend arab që bën këtë. Belgjika, Hollanda dhe Luksemburgu njoftuan se po njohin pasaportat e sapolëshuara të Kosovës.

Ndërkohë, greva e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Kosovë përfundoi të martën pasi sindikata e tyre dhe qeveria ranë dakord mbi një ngritje page, duke filluar nga janari. (Kosova Sot, Express, Koha Ditore, Zeri - 15/10/08; TV21, Kohavision - 14/10/08)