15/10/2008
ANKARA, Turqi -- Bordi i Lartë i Antiterrorizmit (TMYK) propozoi të martën (14 tetor) ngritjen e një organizmi të ri që të punonte nën ombrellën e ministrisë së brendshme, për të bashkërenduar veprimtaritë kundër Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Në një takim kryesuar nga kryeministri Rexhep Tajip Erdogan, TMYK vlerësoi "të gjithë dimensionet e luftës kundër terrorit, duke përfshirë aspektet e veta socioekonomike, diplomatike dhe ligjore", sipas një deklarate zyrtare. Në takimin tjetër, TMYK pritet të përgatisë një udhëzues tërësor për luftën që do të përfshinte masat që shtrihen nga ato ushtarake në politike.
Gjithashtu të martën, militantët e PKK sulmuan një autokolonë ushtarake në krahinën lindore të Tuncelit, duke plagosur pesë ushtarë turq, thanë burimet ushtarake. Luftimet vazhdojnë me ushtrinë që po dërgon përforcime në zonë. Helikopterët e ushtrisë bombarduan anëtarët e PKK përgjegjës për sulmin, thanë burimet. (Zaman, Hurriyet, Anadolu news agency, Dogan news agency, NTV, AFP - 14/10/08)