Sejdiu i Kosovës kundërshton ndërmjetësimin e UNMIK në takimin me Tadiç të Serbisë

05/09/2008

PRISHTINË, Kosovë -- Presidenti Fatmir Sejdiu tha të enjten (4 shtator) se UNMIK nuk mund të jetë ndërmjetës në çfarëdo takimi të mundshëm midis tij dhe homologut serb Boris Tadiç. "Ne e konsiderojmë UNMIK si lehtësues në procesin e mbylljes së misionit të vet," tha Sejdiu. Ai theksoi se është gati të takohet me Tadiç vetëm në qoftë se bisedimet njihen si një takim midis presidentëve të dy shteteve të pavarur. Ai përjashtoi diskutimin e çështjes lidhur me statusin e Kosovës.

Në lajme të tjera të enjten, ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se vendi i tij nuk do të mbështesë nismën e Serbisë për të kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia në shkurt. "Ne kemi njohur tashmë një Kosovë të pavarur. Ne nuk do ta kishim bërë këtë po qe se besonim se vendimi ishte kundër ligjit ndërkombëtar," u tha Steinmeier gazetarëve pas takimit të tij me homologun serb Vuk Jeremiç. "Momenti ka ardhur për Serbinë që të shohë përpara të ardhmen, jo prapa," theksoi Steinmeier. (Koha ditore, Zeri, Express, B92, Beta, RTS, DPA - 05/09/08)