Përfundon gjykimi i Milutinoviç të Serbisë

29/08/2008

HAGË, Hollandë -- Përfundoi të mërkurën (27 gusht) përpara gjykatës së OKB-së për krimet e luftës, gjyqi i ish presidentit serb Milan Milutinoviç dhe pesë bashkëtëpandehurve për krime lufte në Kosovë në 1999, raportoi media të enjten. Gjykatësi kryesues Ian Bonomi njoftoi se një verdikt do të jepet "sa më parë të jetë e mundur". Milutinoviç dhe bashkëtëpandehurit e tij janë akuzuar për zhvendosje të detyruar, deportime, vrasje dhe persekutime të shqiptarëve të Kosovës në gjysmën e parë të vitit 1999. Bashkëtëpandehurit përfshijnë ish nënkryeministrin jugosllav Nikola Sainoviç dhe gjeneralët Dragoljub Ojdaniç, Nebojsha Pavkoviç, Vladimir Lazareviç dhe Sreten Lukiç. Gjyqi i cili nisi mbi dy vjet më parë, përfshiu mbi 200 dëshmitarë.

Në lajme të tjera, prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç tha të enjten se ai pret që komandanti serb boshnjak i kohës së luftës Ratko Mlladiç të arrestohet së shpejti. Në një intervistë me AP, Vukçeviç tha se besonte se Mlladiç fshihej në Serbi dhe kishte gjasë të mos kishte ndërruar dukjen e tij ashtu si ish udhëheqësi serb boshnjak Radovan Karaxhiç. Sipas prokurorit, Mlladiç dhe Karaxhiç kanë "krejtësisht personalitete të ndryshme". Të dy janë akuzuar për genocid. (B92, Beta, EMportal, AP - 28/08/08)