21/07/2008
UASHINGTON, Shtetet e Bashkuara -- Michael Braun, shefi i operacioneve të Administratës Kundër Drogës, akuzon Partinë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për përfshirje në trafikun e drogës dhe rrjete të tjera ndërkombëtare të krimit të organizuar, raportoi të dielën (20 korrik) media turke. Organizata të tilla si PKK që marrin financim nga trafiku i drogës si edhe nga përfshirja e tyre në terrorizëm, mund të përcaktohen si "hibride", tha Braun të premten, gjatë një forumi mbi trafikun e drogës dhe grupet terroriste të Lindjes së Mesme, mbajtur në Institutin e Uashingtonit.
Në lajme të tjera, tre pengje gjermane që PKK i lëshoi të dielën, u nisën për në atdhe, raportoi media turke të hënën. Alpinistët, rrëmbyer nga militantët e PKK në 8 korrik në krahinën lindore të Agrit, arritën në një aeroport të Turqisë lindore shoqëruar nga një delegacion gjerman. Ata pritet të fluturojnë në Ankara dhe pastaj të nisen për një fluturim pa ndalesë në Munih. (Sabah, Zaman, Hurryiet, Dogan news agency - 21/07/08, Hurryiet, Anadolu news agency - 20/07/08)