17/07/2008
PRISHTINË, Kosovë -- Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i jashtëm Skënder Hyseni u nisën të mërkurën (16 korrik) për vizitën e tyre të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt. Vëzhguesit presin që ata t'i kërkojnë Uashingtonit të ushtrojë ndikimin e vet në mbështetje të përpjekjeve të tyre për të zgjeruar njohjen globale të Kosovës. Sejdiu tha se ajo do t'i shprehë mirënjohjen e veçantë presidentit të SHBA Xhorxh W. Bush për mbrojtjen e fortë të Kosovës në të gjitha fushat. Delegacioni do të takohet me sekretaren e shtetit Kondoliza Rajs të premten.
Në lajme të tjera, shefi i UNMIK Lamberto Zanier tha të mërkurën se është e nevojshme të rivendoset rendi e ligji në qytetin verior të Mitrovicës. "Përparësi për UNMIK do të jetë hapja e një gjykate në pjesën veriore të qytetit të ndarë," tha Zanier.
Gjithashtu të mërkurën, ministria e shërbimeve publike njoftoi se po nis përgatitjet që Kosova të bëjë regjistrimin e saj të parë në 27 vjet. Procesi, në qoftë se miratohet nga parlamenti, do të bëhet nga 31 marsi deri në 15 prill 2009. (Koha Ditore, Zeri, Lajm, Kohavision, Kosovalive - 17/07/08, Koha Ditore, Express, Lajm, Zeri - 16/07/08)