Shqipëria shkarkon shefin e shtabit të përgjithshëm

17/06/2008

TIRANË, Shqipëri -- Shefi i shtabit të përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Luan Hoxha, u shkarkua të hënën (16 qershor) lidhur me serinë e shpërthimeve vdekjeprurëse të municioneve në mes të marsit, në Gërdec. Ai refuzoi të bisedojë me median të hënën rreth rastit të Gërdecit, por falenderoi forcat e armatosura për punën e tyre, të nënvizuar nga ftesa për Shqipërinë që të bashkohet me NATO-n në prill.

Gjithashtu të hënën, parlamenti votoi me shumicë dërrmuese për të hequr imunitetin e ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu. Ai la postin e tij të kabinetit shpejt pas shpërthimeve të Gërdecit të cilat vranë 26 vetë dhe plagosën më tepër se 300. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre. "Si ministër i mbrojtjes, unë respektova ligjin [dhe] konsiderova asgjësimin e tepricës së municionit një përparësi kombëtare," tha ai gjatë sesionit parlamentar.

Në lajme të tjera të hënën, parlamenti kundërshtoi katër nga pesë të propozuarit për në Gjykatën e Lartë. Ata qenë propozuar nga presidenti Bamir Topi. Kjo shënoi herën e parë që Partia qeverisëse Demokratike (PD) i kundërvihet anëtarit të PD, Topi. Koalicioni e kishte paralajmëruar atë se do të kontrollonte dekretin presidencial mbi të propozuarit për në Gjykatën e Lartë. (Shekulli - 17/06/08; VOA, BBC Albanian, Top Channel, Reuters, BalkanWeb - 16/06/08)