14/05/2008
STAMBOLL, Turqi -- Shqipëria mori të martën (13 maj) nga Ukraina presidencën e rradhës të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi (BSEC). Ministri i jashtëm Lulzim Basha ishte në Stamboll për ceremoninë ku ai paraqiti përparësitë e Shqipërisë dhe kalendarin e veprimtarive. Ai tha se Shqipëria do të përqëndrohet në vazhdimin e reformës strukturore të organizatës duke rritur bashkëpunimin me lojtarë të tillë ndërkombëtarë si BE dhe OKB dhe duke nxitur bashkëpunimin midis vendeve anëtare të BSEC. Ngritur gati gjashtë vjet më parë, me seli në Stamboll, qëllimi i organizatës është të forcojë si bashkëpunimin politik dhe ekonomik midis vendeve të Detit të Zi dhe të sigurojë paqen, stabilitetin dhe begatinë. Ajo ka 11 anëtarë: Shqipëria, Armenia, Azerbaixhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina.
Në lajme të tjera të martën, kreu i opozitës shqiptare Edi Rama bëri thirrje për një diskutim mbarëkombëtar mbi amendimin e kushtetutës lidhur me imunitetin e ligjbërësve nga ndjekja penale. Ai kryeson Partinë e madhe Socialiste. Ilir Meta, kreu i partisë më të vogël, Lëvizja Socialiste për Integrimin, argumenton se koha për amendamentet lidhur me imunitetin ishte muajin e kaluar kur ligjbërësit miratuan një seri ndryshimesh kushtetuese. (Koha Jone, Shekulli - 14/05/08; TopChannel - 13/05/08)