Sejdiu këmbëngul se misioni i BE në Kosovë duhet të jetë më i shkurtër se i OKB

25/04/2008

PRISHTINË, Kosovë -- Presidenti Fatmir Sejdiu tha të enjten (24 prill) se institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë një mision të ri ndërkombëtar të vendosur për vite, siç ka qenë UNMIK që nga ngritja e tij në 1999. Ai shtoi se përpjekjet e krerëve të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar duhet të ndërtojnë vetë-qeverisjen dhe vetë-përballueshmërinë. Sa për refuzimin e serbëve të Kosovës për të njohur misionin EULEX të BE dhe mbi ristrukturimin e mundshëm të UNMIK, Sejdiu tha se "nuk diskutohet për pasjen e dy pranive ndërkombëtare në Kosovë, një për shqiptarët dhe një për serbët". Ai shtoi se UNMIK do të vashdojë të luajë një rol për aq sa rezoluta 1244 e OKB është në fuqi.

Në lajme të tjera, prania e vazhdueshme e NATO-s në Kosovë ishte qendra e dëshmisë të mërkurën në Kapitol Hill në Uashington. Ndihmës sekretari i shtetit i SHBA Daniel Fraid i tha panelit të kongresit se misioni i NATO-s, KFOR është vendimtar jo vetëm për Kosovën por gjithashtu për OKB dhe BE.

Të enjten, ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi u takua me ministren vizituese bullgare të integrimit evropian Gergana Grançarova. Thaçi falenderoi Sofjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës duke thënë se mbështetja e fqinjëve është vendimtare. (Express, Koha Ditore - 25/04/08; Kosovalive, BalkanInsight, Shekulli, BalkanWeb, VOA - 24/04/08)