24/04/2008
SARAJEVË, Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) -- Shefi i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Mohamed ElBaradei po i kërkon BiH të ndalojë transportin e paligjshëm të substancave radioaktive dhe po ofron ndihmën e IAEA lidhur me këtë. Duke vizituar Sarajevën të mërkurën (23 prill) ElBaradei tha se ai diskutoi projekte të veçanta me anëtarët e presidencës tre-palëshe. Midis këtyre projekteve është njëri që synon në dedektimin e hershëm në kufijtë e BiH. Për këtë qëllim, zyrtarët do të shpërndajnë 12 skanera në pikat e kalimit. Kryetari i presidencës së BiH Haris Silajxhiç e informoi ElBaradein mbi ligjin e futur kohët e fundit mbi sigurinë radioaktive por pranoi se qeveria nuk ka formuar ende agjensinë rregullatore.
Në lajme të tjera të mërkurën, kryeministri i BiH Nikola Spiriç u takua me delegacionin e parlamentit kanadez të kryesuar nga kryetari i dhomës së komuneve, Peter Miliken. Ata diskutuan bashkëpunimin ekonomik dhe nevojën për rritjen e përgatitjeve për marrëveshje: njëra mbi mbrojtjen e investimit të ndërsjelltë dhe tjetra mbi shmangien e taksimit të dyfishtë. (Nezavisne Novine - 24/04/08; Fena, RTRS, NTV Hayat, HINA - 23/04/08)