24/04/2008
SREBRENICË, Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) --Përfqaësuesi i Lartë Miroslav Lajçak thotë se ai është optimist rreth perspektivave për zhvillimin dhe pajtimin në Srebrenicë, ku në korrik 1995, forcat serbe boshnjake masakruan rreth 8,000 burra e djem boshnjakë. Gjatë një vizite të mërkurën (23 prill) Lajçak theksoi se vetëm një Srebrenicë shumë-etnike ka një të ardhme, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar po punon nga afër me politikanët boshnjakë për të garantuar zgjedhje lokale të rregullta e transparente në Srebrenicë këtë vjeshtë. Lajçak shtoi se projektet që kanë për qëllim normalizimin e jetës në Srebrenicë dhe zhvillimin e ekonomisë së saj, kanë nisur të japin rezultate. "Qyteti që është një simbol i të shkuarës tragjike të BiH duhet të bëhet tani një simbol i së ardhmes së saj të suksesshme," tha Lajçak.
Verën e kaluar bashkia e qytetit të Srebrenicës kërkoi që qyteti të fitojë status të veçantë jashtë juridiksionit të Republika Srpska (RS), muaj pasi Gjykata e Drejtësisë dha vendimin se forcat serbe boshnjake kishin kryer genocid atje. Autoritetet e RS qenë kundër shtytjes së statusit të posaçëm duke ofruar në vend të kësaj një rezolutë që e deklaronte Srebrenicën një qytet të rëndësisë së posaçme dhe u zotuan për paketa të shumta ndihme për të inkurajuar zhvillimin ekonomik. (Nezavisne Novine - 24/04/08; Fena, RTRS, NTV Hayat - 23/04/08)