Gjykata e Hagës jep në apel dënimet e dy oficerëve boshnjakë muslimanë

23/04/2008

HAGË, Hollandë -- Paneli i apelit i gjykatës së OKB-së për krimet e luftës dha të martën (22 prill) dënimet e dy ish komandantëve të ushtrisë boshnjake. Gjykata reduktoi dënimin e Enver Haxhihasanoviç nga pesë në tre vjet e gjysmë dhe të Amir Kubura nga dy vjet e gjysmë në dy vjet. Ata qenë midis boshnjakëve muslimanë të rangut më të lartë që u gjykuan në Hagë. Të dy u përballën me akuzat për krime të kryera gjatë konfliktit 1992-1995, veçanërisht lidhur me përgjegjësinë e komandës për krime të kryera nga luftëtarët e huaj muxhahidinë. Paneli i apelit vendosi se muxhahidinët qenë përtej kontrollit të Korpusit të 3-të të Haxhihasanoviç, të ushtrisë së rregullt boshnjake muslimane. Të dy atyre ju njoh koha e shërbyer dhe do të lirohen.

Në lajme të tjera të martën, gjykata e krimeve të luftës në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) dënoi katër serbë boshnjakë për krime lufte. Ajo i gjeti tre nga ta fajtorë për vrasjen e një grupi civilësh përfshirë gra e fëmijë, në qytetin Jajce në shtator 1992. Dy morën dënime me 21 vjet burg ndërsa i treti, 29 vjet. Në një rast më vete, një person i akuzuar për persekutim, vrasje, burgosje e përdhunim të jo-serbëve në kampin famëkeq të përqëndrimit të Keratermit, mori nëntë vjet burg.

Gjithashtu të martën, personeli i EUFOR dhe policia lokale bastisën shtëpinë e Goran Marinkoviç në rrethinat e Banja Lukës, në Petriçevac. Marinkoviç thuhet se ndihmon financimin e rrjetit të përdorur nga të pandehurit e arratisur për krime lufte që t'i shmangen drejtësisë. (Dnevni Avaz - 23/04/08; Fena, RTRS, Tanjug, NTV Hayat, AKI, AP, Reuters - 22/04/08)