Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Filip Vujanoviç

President i Malit të Zi

(Faqja në ueb e Parlamentit malazez, faqja në ueb e Partisë Demokratike të Socialistëve; Agjenci lajmesh dhe informacioni)
photo

Filip Vujanoviç u zgjodh president i Malit të Zi më 11 maj 2003. Vujanoviç, ish-Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe ish-Kryeministër, u bë Presidenti i parë i republikës pas krijimit të Serbisë-Mali i Zi. Ai e fitoi këtë detyrë përmes një fitore dërrmuese në përpjekjen e tretë zgjedhore brenda gjashtë muajsh. Dy përpjekjet e mëparshme u shpallën të pavlefshme për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve.

Vujanoviç lindi më 1 shtator 1954 në Beograd dhe u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë atje më 1978.

Nga viti 1978 deri më 1981, Vujanoviç punoi në një gjykatë bashkiake dhe më pas si nëpunës në Gjykatën e Qarkut të Beogradit.

Që më 1981, Vujanoviç ka punuar dhe jetuar në Podgoricë. Pas një detyre të shkurtër si sekretar i Gjykatës së Qarkut të Podgoricës, ai punoi si avokat deri në mars 1993, kur u emërua si Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Kryeministrit Milo Gjukanoviç. Vujanoviç e mbajti këtë funksion deri në maj 1995, kur u emërua Ministër i Brendshëm dhe e mbajti atë funksion deri në shkurt 1998.

Disa muaj pas fitores në zgjedhjet presidenciale në korrik 1997 në Mal të Zi, Gjukanoviç propozoi që Vujanoviç të marrë funksionin e Kryeministrit. Vujanoviç shërbeu si Kryeministër nga shkurti 1998 deri në prill 2002, kur paraqiti dorëheqjen në mes të një krize qeveritare në lidhje me një marrëveshje me Serbinë për rikrijimin e vendit në një bashkim të lirshëm të dy shteteve.

Pas zgjedhjeve parlamentare në tetor 2002, Vujanoviç u bë Kryetar i Parlamentit. Vujanoviç është Zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve pro-pavarësisë të Gjukanoviçit.

Pas fitores së tij presidenciale, Vujanoviç renditi pranimin në BE dhe hyrjen në programin Partneritet për Paqe të NATO-s si përparësi kryesore. "Unë do të jem Presidenti i të gjithë qytetarëve, të cilët do t'a çojnë Malin e Zi drejt BE-së," tha Vujanoviç, duke u premtuar mbështetësve të thërrasë një referendum mbi pavarësinë pas tre vjetësh.

Vujanoviç është i martuar dhe ka dy vajza e një djalë.