![]() |
Sergei Stanishev u emërua kryeministër më 16 gusht 2005 pasi Partia Socialiste Bullgare (BSP) e tij fitoi zgjedhjet parlamentare më 25 qershor. Ai zëvendësoi Simeon Sakse-Koburg në këtë detyrë.
Stanishev lindi më 5 maj 1966 në Kherson, Ukrainë. Ai u diplomua në histori në Universitetin Shtetëror të Moskës më 1989 dhe mori gradën e doktoraturës më 1994. Ai u specializua në shkencat politike në Shkollën për Studime Politike të Moskës më 1998 dhe ishte një student me kohë të pjesshme në marrëdhëniet ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike në Londër ndërmjet 1999 dhe 2000.
Nga 1994 deri më 1995, Stanishev punoi si gazetar në profesion të lirë.
Pasi u bë pjesë e departamentit të çështjeve të jashtme të BSP-së si anëtar i personelit më 1995, Stanishev shërbeu si kryetar i politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të partisë nga 1996 deri më 2001. Ndërkohë, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Suprem të BSP-së dhe anëtar i Byrosë Ekzekutive më 2000 dhe anëtar i parlamentit për qytetin Ruse më 2001. Në Kongresin e 44-tërt të BSP-së në dhjetor 2001, Stanishev u zgjodh kryetar i Këshillit Suprem të BSP-së dhe grupit parlamentar të saj, duke zëvendësuar Georgi Parvanov, që fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor 2001. Ai ka qënë anëtar i presidencës së Partisë së Socialistëve Europianë që në prill 2004.
Pas tetë viteve në opozitë, BSP fitoi zgjedhjet parlamentare më 25 qershor 2005, por duke mos arritur të mbledhë një shumicë dërrmuese për të qeverisur vendin vetë, partisë iu desh të kërkonte partnerë për një qeveri aleance. Përfundimisht, pothuajse dy muaj pas zgjedhjeve, BSP arriti një marrëveshje aleance me Lëvizjen Kombëtare për Simeonin II (NMS-II) të qendrës dhe Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë (MRF) të mbizotëruar nga turqit etnikë më 15 gusht. Një ditë më vonë, Stanishev u konfirmua si kryeministri i ri i Bullgarisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së aleancës me udhëheqësit e NMS-II dhe MRF, Stanishev renditi "integrimin europian, zhvillimin ekonomik dhe përgjegjësinë sociale" si përparësitë kryesore të tij. "Qëllimi ynë është që të përmbushim aspiratat e bullgarëve, që t’i japim Bullgarisë mundësinë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe për të përmirësuar standartet e jetesës," shtoi ai.
Stanishev mori detyrën e kryeministrit në një kohë kritike për Bullgarinë -- më pak se 18 muaj përpara pranimit të saj në BE, të planifikuar për në janar 2007. Ajo datë, megjithatë, varet nga zbatimi i një numri reformash.
Stanishev nuk është i martuar, por ka jetuar prej një kohe të gjatë me gazetaren e mirënjohur bullgare Elena Jonçeva.