Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Kondoliza Rajs

Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare të SH.B.A.-së

(New York Times - 18/12/00; Stanford Online Report - 06/09/99; ABC News.com - Profile: Condoleezza Rice; Hoover Institution)
photo

Kondoliza Rajs, 46 vjeç, Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare e Presidentit Xhorxh Bush, është një specialiste për çështjet ruse dhe të Europës Lindore e respektuar gjerësisht, e cila kohët e fundit ishte një pedagoge e shkencës politike dhe dekane e Universitetit të Stanfordit.

Rajs lindi më 14 nëntor 1954 në një lagje të ndarë nga ana racore në Birmingam, Alabama, fëmija e vetme e dy mësuesve. Babai i saj, Prifti Xhon W. Rajs, drejtonte Kishën Presbiteriane të Uestminsterit, të cilën e kishte themeluar gjyshi i saj. Nëna e saj, Anxhela Rei, ishte mësuese në një shkollë të mesme të afro-amerikanëve në Birmingam. Rajs ishte një studente e jashtëzakonshme. Ajo hyri në klasën e tetë në moshën 11 vjeç. Brenda një viti ajo përfundoi edhe vitin e fundit të shkollës së mesme, edhe vitin e parë të kolegjit.

Më 1974, në moshën 19 vjeçare, ajo fitoi një diplomë universitare (Phi Beta Kappa) në shkencën politike në Universitetin e Denverit. Mësuesi i Rajsit, Xhozef Korbel, babai i ish-Sekretares së Shtetit Medllin K. Ollbrajt, e frymëzoi atë të braktiste synimet e saj për t'u bërë pianiste koncertesh dhe përkundrazi të ndiqte një specializim mbi Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore. "Unë u shpëtova nga dega e muzikës prej Rusisë," tha ajo në një intervistë.

Rajs mori një gradë Master në Universitetin e Notre Damit më 1975 dhe një doktoraturë në Universitetin e Denverit më 1981. Pas diplomimit ajo u bashkua me personelin pedagogjik të shkencës politike të Stanford, si anëtare e programit të kontrollit të armëve dhe çarmatimit. Pesë vjet më vonë ajo shkoi në Uashington për të marrë pjesë në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme, për të punuar në planifikimin e strategjisë bërthamore nën drejtimin e Admiralit Uilliam Krouv të Bashkëshefave të Shtabit. Ajo u kthye në Uashington për herë të dytë më 1989, për të punuar nën drejtimin e Brent Skoukroft në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si drejtoreshë e çështjeve Sovjetike dhe të Europës Lindore. Ndërsa ishte President Xhorxh Bush ajo u emërua gjithashtu ndihmëse e posaçme e presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare dhe drejtoreshë e lartë për çështjet Sovjetike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në këto funksione ajo ndihmoi në arritjen e reformave demokratike në Poloni dhe luajti një rol kyç në krijimin e shumë prej politikave të administratës së Bushit ndaj ish-Bashkimit Sovjetik.

Më 1993, Rajs, e cila pëlqen shumë sportin, u bë e para dekane më e re dhe jo e bardhë në Universitetin e Stanfordit. Një ish-koleg i Stanfordit e quajti atë "një manjolë të hekurt." Koit Blleker, tani zëvendësdrejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare të Stanfordit, tha se Rajs "ka nje lloj të mrekullueshëm ndikimi jugor në kuptimin pozitiv, një lloj dashamirësie. Por e përzierë me këtë është një thelb i brendshëm shumë i hekurt. Ajo gjithnjë e di se çfarë dëshiron dhe është jashtëzakonisht e disiplinuar, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë profesional."