Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Zeljko Komsiç

Anëtar i Presidencës, Bosnje-Hercegovinë

(AP, DPA, AKI, Fena; Faqja Zyrtare e Internetit të Presidencës së BH-së; Wikipedia)
photo

Zeljko Komsiç[Getty Images]

Zeljko Komsiç u betua më 6 nëntor 2006 si anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës (BH), pesë javë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 1 tetorit në vend. Ai dhe dy anëtarë të tjerë të presidencës kolektive, boshnjaku Haris Silaxhiç dhe serbi Nebojsha Radmanoviç u zgjodhën nga votimi i drejtpërdrejtë i popullit për një mandat katërvjeçar, duke zëvendësuar respektivisht Miro Joviç, Sulejman Tihiç dhe Borislav Paravac.

Komsiç lindi më 20 janar 1964 në Sarajevë. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Sarajevës dhe në Shkollën e Shërbimit të Huaj në Universitetin e Xhorxhtoun në Uashington.

Gjatë konfliktit të viteve 1992-1995 në BH, Komsiç shërbeu në Ushtrinë e Republikës së BH-së. Në vitin 1995 ai morri dekoratën më të lartë ushtarake të ushtrisë -- Zambaku i Artë.

Komsiç filloi pastaj karrierën e tij politike si një anëtar i Partisë Social Demokratike (SDP) të BH-së. Në vitin 2000, ai u zgjodh kryetari i bashkisë së rajonit të Sarajevës së Re në kryeqytetin e BH-së, duke e mbajtur atë post deri në vitin 2001, kur ai u bë ambasadori i parë i vendit të tij në Beograd. Disa ditë mbas zgjedhjeve të përgjithshme të 5 tetorit 2002 në BH, ai dha dorëheqjen nga ai post, duke cituar humbjen e SDP-së në zgjedhje.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2004, ai fitoi një mandat të ri si kryetar i bashkisë së Sarajevës së Re. Ai ndenji në atë vend pune deri më 1 tetor 2006, kur ai u zgjodh anëtar i presidencës së BH-së mbasi fitoi 40% të votave për vendin kroat, duke u bërë kështu anëtar i saj më i ri në gjithë historinë. Sidoqoftë zgjedhja e tij ngjalli polemika me disa nacionalistë kroat, duke përfshirë paraardhësin e tij Joviç -- që pretendonin se ai ka marrë shumicën e votave të tij jo nga popullsia kroate, por nga mbështetësit boshnjak.

Në një fjalim në ceremoninë e përurimit të presidencës së re më 6 nëntor 2006, Komsiç deklaroi se ai i konsideron të gjithë qytetarët të barabartë dhe premtoi se do ta zhvillojë detyrën e tij me integritet.

"Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të BH-së të mbështesin përpjekjet dhe zotimin tim se vendi ynë duhet të jetë demokratik, i civilizuar dhe i begatë, vendi i shtetit të së drejtës dhe tolerancës, vendi në të cilin asnjë nuk do të diskriminohet, në të cilin të gjithë do të jenë të drejtë dhe të barabartë,” tha ai. Si anëtar i presidencës së BH-së, unë do të punoj në përputhje me autoritetet kushtetuese kundër padrejtësive sociale, krimit dhe korrupsionit si dhe kundër të gjitha formave të shpërdorimit të detyrës.”

Komsiç duhet të marri kryesinë e radhës së presidencës tetëmujore nga Radmanoviç në korrik të vitit 2007.

Ai është i martuar dhe ka një fëmijë.