![]() |
Branko Cërvenkovski u zgjodh President i Maqedonisë më 28 prill 2004, në raundin e dytë të zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme u thirrën pas vdekjes së ish-Presidentit maqedonas Boris Trajkovski në një aksident me aeroplan më 26 shkurt 2004.
Cërvenkovski lindi më 12 tetor 1962 në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë. Më 1986 ai u diplomua në Shkencat Kompjuterike dhe Automatizim në Shkollën e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin Shën Cirili dhe Metodius në Shkup.
Cërvenkovski u zgjodh anëtar i Asamblesë së Republikës së Maqedonisë në zgjedhjet e para shumë-partiake në ish-Jugosllavi më 1990, pasi shërbeu për disa vjet si shef departamenti në ndërmarrjen Semos në Shkup.
Cërvenkovski, një ish-komunist, ka qënë në krye të Bashkimit Social-Demokratik të Maqedonisë (SDSM) që në prill 1991.
Më 5 shtator 1992, ai u bë Kryeministri i parë i Maqedonisë pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia dhe qëndroi në këtë detyrë për katër vjet të tjera pas zgjedhjeve në dhjetor 1994.
Ndërsa aleanca e gjerë e opozitës e udhëhequr nga SDSM e Cërvenkovskit fitoi zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit 2002, Cërvenkovski u emërua nga partia e tij për detyrën e Kryeministrit dhe më 7 tetor, ish-Presidenti Boris Trajkovski i besoi atij mandatin për të formuar qeverinë e re të vendit.
SDSM në pushtet e emëroi Cërvenkovskin si kandidat të saj për President në zgjedhjet e 14 prillit. Për shkak të mungesës së pjesëmarrjes së votuesve, Cërvenkovski dhe kundërshtari i tij, Sasko Kedev i VMRO-DPMNE-së, u ndeshën në raundin e dytë të zgjedhjeve më 28 prill. Cërvenkovski u shpall fitues me 63 përqind të votave.
"Marrëdhëniet e mira ndër-etnike janë shtyllat e stabilitetit në Maqedoni" dhe "rruga më e shkurtër për t'u bërë pjesë e proceseve integruese Europiane dhe Euro-Atlantike," tha Cërvenkovski në fjalimin e tij përurues përpara parlamentit më 12 maj.