![]() |
Adnan Terziç u bë Kryeministër i Bosnje-Hercegovinës (BiH) më 23 dhjetor 2002, pas zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të tetorit. Ai zëvendësoi në këtë funksion Dragan Mikereviç dhe u bë kreu i parë i qeverisë qëndrore të BiH-së që u emërua për një mandat katër-vjeçar.
Terziç lindi më 1960 në Zagreb. Ai u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Civile në Universitetin e Sarajevës dhe ka kryer studime pas-universitare në Fakultetin e Shkencave Politike të këtij universiteti.
Terziç u bashkua me Partinë Muslimane për Veprim Demokratik më 1991, duke u bërë më së fundi zëvendëskryetar i partisë. Ai ka shërbyer dy herë si guvernator i kantonit të Bosnjes Qëndore, nga 1997 deri në nëntor 1998 dhe nga 2000 deri në 2001.
Ndërsa Parlamenti i BiH-së konfirmoi emërimin e tij në krye të qeverisë së përbërë nga një numër i barabartë muslimanësh, serbësh dhe kroatësh, Terziç premtoi reforma, duke theksuar si përparësi kryesore demokratizimin e plotë të shoqërisë, forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe nxitjen e drejtësisë shoqërore.
"Qëllimi ynë është që BiH të shkojë përpara në integrimin Europian dhe të zbatojë reforma ekonomike dhe politike," tha Terziç në fjalimin e tij përpara Dhomës së Përfaqësuesve të parlamentit më 23 dhjetor 2002.