![]() Zeljko Sturanoviç. [Getty Images] |
Zeljko Sturanoviç u betua si kryeministër i Malit të Zi më 10 nëntor 2006, dy muaj mbasi koalicioni, i drejtuar nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), fitoi zgjedhjet parlamentare të 10 shtatorit. Duke i zënë vendin drejtuesit të DPS-së Milo Xhukanoviç, ai udhëhoqi kabineti e parë të Malit të Zi të dalë nga zgjedhjet që kur republika e detit Adriatik shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Serbia më 3 qershor.
Sturanoviç ka lindur më 31 janar 1960, në qytetin e Niksiç. Ai u diplomua nga Fakulteti i Drejtësisë në Podgoricë në vitin 1983 dhe pastaj filloi punë në Fabrikën e Çelikut të Niksiç, duke drejtuar departamentin e saj ligjor.
Në janar 1993, Sturanoviç, u zgjodh anëtar i Dhomës së Qytetarëve të Parlamentit të Republikës Federale të Jugosllavisë të formuar nga Serbia dhe Mali i Zi. Mbasi fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit 1996, ai drejtoi grupin parlamentar të DPS-së.
Në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të prillit 2001 në Malin e Zi, Sturanoviç u zgjodh anëtar i asamblesë së Republikës. Në korrik të po atij viti ai u zgjodh ministër i drejtësisë.
Anëtar i presidencës së DPS-së, ai vazhdonte akoma punën si ministër i drejtësisë në fillim të tetorit 2006, kur Xhukanoviç lajmëroi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen si kryeministër mbasi drejtoi vendin e tij drejt pavarësisë në qershor dhe pastaj partinë e tij në fitore në zgjedhjet e shtatorit. DPS emëroi Sturanoviç si kryeministrin e ri.
Duke prezantuar programin e tij në parlament, Sturanoviç deklaroi se detyra e tij kryesore do të jetë ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, në veçanti Serbinë. Ai citoi gjithashtu si prioritetet kryesore integrimin Euro-Atlantik, përmirësimin e kushteve të jetesës së malazezëve dhe luftën ndaj korrupsionit.
"Qëllimi i kësaj qeverie të re do të jetë vazhdimi i rrugës së Malit të Zi drej integrimit evropian dhe ti bëjmë qytetarët tanë të ndihen të sigurtë dhe të jetojnë më mirë në vendin tonë, si dhe të jenë në gjendje të punojnë ndershmërisht për të siguruar një jetë të mirë për veten e tyre dhe familjet e tyre,” deklaroi Sturanoviç më 10 nëntor, mbasi ligjëvënësit votuan qeverinë e tij në fund të debatit treditor.
Sturanoviç është i martuar dhe ka dy fëmijë.