Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Donald H. Ramsfeld

Sekretari i Mbrojtjes i SH.B.A.-së

(New York Times - 29/12/00; DefenseLINK)
photo

"Ekzistojnë pak personazhe aktivë, të cilët përbëjnë më shumë historinë e Partisë Republikane moderne, apo që kanë biografi personale qeveritare për t'u krahasuar me atë të Donald Henri Ramsfeld," shkruante një artikull në New Jork Tajms. Një veteran i vërtetë i Pentagonit, Ramsfeld, 68 vjeç, mori përsëri funksionin e sekretarit të mbrojtjes të SH.B.A.-së më 2001, pas një pauze prej një çerek shekulli. Ai fillimisht e mori këtë detyrë në nëntor 1975 në administratën e Presidentit Xherald Ford.

I lindur më 1932, në Çikago, Illinois, ai u diplomua nga Universiteti i Princetonit më 1954 dhe shërbeu si një drejtues në marinë për tre vjet përpara se të shkonte në Uashington, për të punuar nën drejtimin e dy anëtarëve të Kongresit. Ramsfeld u shkëput për pak kohë nga politika për t'u bashkuar me një bankë investimesh, por u kthye në Uashington më 1962, në moshën 30 vjeç, për të shërbyer në Dhomën e Përfaqesuesve si një përfaqësues nga Illinoisi. Ai u rizgjodh më 1964, 1966 dhe 1968. Ai qëndroi në Dhomë deri sa dha dorëheqjen më 1969, për t'u bashkuar me administratën e Presidentit Riçard Nikson, si drejtor i Zyrës për Mundësi Ekonomike.

Pasi shërbeu si Ambasador i SH.B.A.-së në NATO në Bruksel prej 1973-1974, ai u thirr përsëri në Uashington për të punuar në administratën e Fordit si shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe më vonë, në moshën 46 vjeçare, si sekretari më i ri i mbrojtjes në historinë e vendit.

Pasi Presidenti Ford humbi përpjekjen e tij për t'u rizgjedhur ndaj Xhimi Karterit më 1976, Rumsfeld u kthye në botën e korporatave, ku ai shërbeu si shef ekzekutiv, president dhe më pas kryetar i G.D. Searle & Co., një ndërmarrje farmaceutike e shpërndarë në të gjithë botën. Gjatë karrierës së tij të biznesit, Rumsfeld vazhdoi shërbimin publik në një shumëllojshmëri funksionesh. Detyrat e tij më të fundit përfshijnë kryesimin e një komisioni të pavarur për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërcënimit të rrezikut prej raketave balistike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe një komision për të vlerësuar administrimin e veprimtarive amerikane në hapësirë. Përpara se të betohej si sekretari i 21-të i mbrojtjes, Rumsfeld ishte kryetari i Gilead Sciences, Inc.

Ai u martua me Xhois Pierson më 1954. Ata kanë tre fëmijë.