![]() |
Bajram Rexhepi u bë Kryeministri i parë i Kosovës më 4 mars 2002, pas zgjedhjeve të përgjithshme në provincë më 17 nëntor 2001. Një anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila përfundoi e dyta në zgjedhje, emërimi i Rexhepit për këtë funksion ishte rezultati i një marrëveshje për ndarjen e pushtetit ndërmjet tre partive kryesore shqiptare të provincës.
Rexhepi lindi më 3 qershor 1954 në qytetin e Mitrovicës. Rexhepi, një kirurg, u diplomua nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës më 1979 dhe përfundoi studime pas-universitare në Zagreb më 1985. Ai punoi si një kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal në Mitrovicë deri më 1990. Më pas, ai u bë udhëheqës i qeverisë hije në qytet dhe një anëtar i Parlamentit të Kosovës.
Gjatë konfliktit më 1999 me Serbinë, Rexhepi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi tre muaj në male duke shërbyer si mjek në terren në zonën operative të Shalës.
Pas luftës, Rexhepi shërbeu si kryetar i këshillit bashkiak të Mitrovicës dhe Kryetar i pjesës së jugut të qytetit të ndarë, si dhe kreu i degës së organizatës PDK në qytet. Në zgjedhjet e përgjithshme më 17 nëntor 2001, PDK fitoi 25.7 përqind të votave, duke u renditur e dyta pas Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugoves.
Më 4 mars 2002, pas tre muaj bisedimesh, Asambleja e Kosovës zgjodhi Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën si president; të dy konsiderohen si politikanë të moderuar. Pas zgjedhjes së tij, Kryeministri tha se qëllimi i menjëhershëm i tij do të ishte "kapërcimi i vonesës dhe formimi i qeverisë".
Gjatë një vizite në Uashington në maj 2002, Rexhepi shprehu besim se institucionet e sapo-krijuara të Kosovës ishin në një pozicion për të "përmbushur të gjithë aspektet e vetë-qeverisjes". Duke folur përpara një grupi zyrtarësh të SH.B.A.-së, drejtues të OJQ-ve dhe bizneseve në Institutin për Paqe të Shteteve të Bashkuara, Rexhepi përvijoi tre përparësitë për qeverinë e tij: përmirësimi i ekonomisë dhe standarteve të jetesës, rritja e tolerancës e pajtimit etnik dhe zgjidhja e statusit të paqartë të Kosovës.
Rexhepi jeton në Mitrovicën veriore me bashkëshorten dhe vajzën e tij.