Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Dragan Mikereviç

Kryeministër i Republikës Sërbska

(Faqja zyrtare në ueb, njoftime të ndryshme telegrafike)
photo

Dragan Mikereviç u zgjodh Kryeministër i njësisë serbo-boshnjake të Bosnje-Hercegovinës (BiH) më 17 janar 2003, pas zgjedhjeve të përgjithshme disa muaj më parë. Një politikan i moderuar, i cili dikur shërbeu si Kryeministër Federal i BiH-së, Mikereviç zëvendësoi Mlladen Ivaniç, duke kryesuar qeverinë e parë shumë-etnike të Republikës Sërbska (RS).

Mikereviç lindi më 12 shkurt 1955 në Doboj. Ai ka një gradë master dhe një doktoraturë në ekonomi, të marra më 1990 dhe 1996 nga Departamenti i Ekonomisë në qytetin verior serb të Suboticës.

Në karrierën profesionale të tij, Mikereviç ka shërbyer në funksione të ndryshme me përgjegjësi në rritje në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të RS-së, si dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Banja Lukës, ku ai kryesoi gjithashtu ekipe të ndryshme ekspertësh.

Mikereviç është gjithashtu anëtar i Partisë për Përparim Demokratik të Mlladen Ivaniç që më 1999.

Më 15 mars 2002, ai zëvendësoi boshnjakun Zllatko Lagumxhija si kryetar i qeverisë qëndrore të BiH-së, duke ruajtur funksionin e Ministrit të Integrimit Europian.

Kur u zgjodh Kryeministër, Mikereviç tha se qeveria do të përqëndrohet në integrimin Europian dhe reformën shoqërore e ekonomike dhe premtoi të ulë papunësinë dhe të tërheqë më shumë investime të huaja.

Menjëherë pas marrjes së detyrës, Mikereviç i bëri thirrje të dyshuarit për krime lufte serbit të Bosnjes Radovan Karaxhiç dhe të kërkuarve të tjerë të dorëzohen tek gjykata e OKB-së në Hagë, pasi ata janë duke dëmtuar interesat e Republikës Sërbska.

Mikereviç është i martuar dhe ka dy fëmijë.