![]() |
Avokati malazez Svetozar Maroviç u zgjodh Presidenti i parë i bashkimit të ri të Serbisë e Malit të Zi më 7 mars 2003, më pak se një muaj pas zhdukjes së ish-federatës jugosllave. Maroviç gjithashtu do të kryesojë Këshillin e Ministrave prej pesë anëtarësh të bashkimit të përbashkët.
Maroviç mori funksionin e tij në një kohë kur Serbia dhe Mali i Zi ishin pa presidentë të zgjedhur dhe më pak se një javë përpara se në Serbi të vendosej gjendja e jashtëzakonshme, pas vrasjes së Kryeministrit Zoran Gjinxhiç më 12 mars.
Maroviç lindi më 31 mars 1955 në qytetin e Kotorit. Ai u diplomua në Shkollën e Drejtësisë të Podgoricës. Ai është bashkë-themelues dhe zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) malazeze pro-pavarësisë.
Maroviç u zgjodh fillimisht si anëtar i Parlamentit të Malit të Zi më 1990. Ai u zgjodh tre herë si kryetar i tij ndërmjet 1994 e 2001 dhe gjithashtu kryesoi komisionin e punëve të jashtme të asamblesë. Ai ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm e Zëvendëspresident dhe si anëtar i parlamentit federal dhe malazez për DPS-në.
Në fjalimin e tij përurues presidencial më 7 mars 2003, Maroviç e përshkroi marrëveshjen që çoi në krijimin e bashkimit të ri të lirshëm si "marrëveshja e parë demokratike ndonjëherë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi". Presidenti tha se fokusi kryesor i punës së tij gjatë tre viteve, përpara se të dy republikat të mund të zgjedhin për të dalë nga bashkimi, do të jetë përmirësimi i standarteve të jetesës së popullit serbo-malazez. Maroviç gjithashtu premtoi bashkëpunim me gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë.
Përveç të qënit një politikan aktiv, Presidenti i Serbisë e Malit të Zi ka shkruar për një numër të përditshmesh, të përjavshmesh dhe revistash dhe ka qënë inicues i veprimtarive të ndryshme kulturore në qytetin e Budvas.
Svetozar Maroviç është i martuar dhe ka dy fëmijë.