![]() |
Vojislav Koshtunica u zgjodh Kryeministër i Serbisë më 3 mars 2004, pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme më 28 dhjetor 2003, në të cilat asnjë prej partive konkurrente nuk fitoi mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Qeveria e pakicës, e formuar pas disa javë bisedimesh aleancash, përbëhet nga anëtarë të Partisë konservatore Demokratike të Serbisë të Koshtunicës (DSS), G17 Plus liberale dhe Lëvizja e Ringjalljes Serbe dhe koalicioni Serbia e Re. Ajo gjithashtu mbështetet nga Partia Socialiste e Serbisë e ish-Presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Lindur në Beograd më 1944, Koshtunica u diplomua në Shkollën e Drejtësisë të Beogradit më 1966. Më 1970, ai mori një diplomë masteri dhe filloi të punojë si lektor i ri. Më 1974 përfundoi doktoraturën. Pak më vonë, e humbi vendin e tij të punës si mësues gjatë një spastrimi politik të universitetit. Duke filluar nga viti 1974, punoi në Institutin e Shkencave Shoqërore dhe më 1981 u punësua në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale.
Ndryshe nga shumë politikanë drejtues të Serbisë, Koshtunica nuk ishte anëtar i Partisë Komuniste. Më 1989, ai ndihmoi në themelimin e Partisë Demokratike së bashku me të ndjerin Kryeministër të Serbisë Zoran Gjinxhiç, i cili u vra në mars 2003. Koshtunica u largua nga partia sepse besonte se programi i saj nuk ishte aq nacionalist sa duhej. Ai krijoi DSS-në më 1992 dhe ka qëndruar në krye të saj që atëherë. Si anëtar i Parlamentit serb nga viti 1990 deri më 1997, ai ishte kritik i ashpër si i Millosheviçit, ashtu edhe i bashkësisë ndërkombëtare, duke argumentuar se secili ndiqte politika që dëmtonin interesat serbe.
Koshtunica, i cili e përshkruan veten si nacionalist të moderuar, konsiderohet si një prej figurave më polemike në Ballkan. Profesori i matur i drejtësisë me reputacionin se vepron në bazë të parimeve të tij pavarësisht nga rrethanat politike, çuditi botën më 24 shtator, 2000, duke mposhtur Millosheviçin në zgjedhjet presidenciale të vendit pas 13 vjet sundimi. Koshtunica dha dorëheqjen si president i Jugosllavisë në shkurt 2003. Dorëheqja e tij ishte rezultat i marrëveshjes së Beogradit e ndërmjetësuar nga BE, e cila krijoi terrenin për shpërbërjen e Jugosllavisë së mëparshme dhe krijimin e një bashkimi të ri të lirshëm të Serbisë e Malit të Zi.
Në paraqitjen e programit të qeverisë në Parlamentin serb më 2 mars 2004, Koshtunica përmendi statusin e serbëve të Kosovës, marrëdhëniet serbo-malazeze brenda bashkimit shtetëror, reformën institucionale, përpjekjet kundër korrupsionit dhe ekonominë si përparësi kryesore. Ai premtoi t'a udhëheqë vendin drejt anëtarësimit në BE, duke thënë se "për Serbinë e Malin e Zi nuk ka asnjë alternativë tjetër në këtë moment përveç ndjekjes së udhës europiane".
Koshtunica është i martuar.