![]() |
Dragan Çoviç u bë anëtar i presidencës tre-palëshe të Bosnje-Hercegovinës (BiH) më 28 tetor 2002, pas zgjedhjeve të përgjithshme në vend më 5 tetor 2002. Duke përfaqësuar bashkësinë kroato-boshnjake të vendit, Çoviç dhe dy anëtarët e tjerë të presidencës së përbashkët, boshnjaku Sulejman Tihiç dhe serbi i Bosnjes Mirko Saroviç, u zgjodhën me votim të drejtpërdrejtë të përgjithshëm për një mandat katër-vjeçar, duke zëvendësuar Jozo Krizanoviç, Beriz Belkiç dhe Zivko Radisiç.
Çoviç, i Bashkimit Demokratik Kroat, fitoi vendin e tij në presidencën e përbashkët me 61.5 përqind të votave të kroatëve të Bosnjes.
Çoviç lindi më 20 gusht 1956 në Mostar. Ai ka një gradë master nga departamenti i inxhinierisë mekanike të Universitetit të Mostarit dhe një tjetër nga departamenti i ekonomisë të Universitetit të Sarajevës, të dy të marra më 1989. Shtatë vjet më vonë, Çoviç mori doktoraturën e tij nga Universiteti i Mostarit.
Çoviç ka punuar për 21 vjet në ndërmarrjen SOKO në Mostar, duke marrë pozicione të larta administrative gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij atje.
Nga viti 1998 deri më 2001 Çoviç shërbeu si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Financës i njësisë muslimano-kroate të vendit, Federatës së Bosnje-Hercegovinës dhe më vonë si një lektor me kohë të pjesshme në departamentin e inxhinierisë mekanike në Mostar.
Gjatë një vizite me Saroviç dhe Tihiç në OKB në dhjetor 2002, Çoviç tha se përparësitë e presidencës tre-palëshe ishin të krijonte një qeveri dhe gjyqësor të fortë, si dhe zbatonte reformën ekonomike, duke theksuar se BiH do të jetë një forcë për stabilitetin në rajon, ndërsa standartet e saj modernizohen në nivelin e Europës dhe botës.
Çoviç është i martuar dhe ka dy vajza.