Shpërthime të fuqishme në grumbullin e municionit trondisin Sofjen dhe fshatrat pranë

03/07/2008

Një seri shpërthimesh të fuqishme në një grumbull municionesh pranë Sofjes, tronditën kryeqytetin bullgar të enjten në mëngjes duke mos shkaktuar viktima por duke shkaktuar dëm material dhe panik të madh lokal.

(AFP, AP, Reuters, DPA, The Sofia Echo, SNA, Dnevnik, Mediapool - 03/07/08)

photo

Banorët e Sofjes zgjohen nga një seri shpërthimesh të enjten (3 korrik). [Dosje]

Tre vetë pësuan plagosje të lehta ndërsa një seri shpërthimesh në një njësi ruajtjeje ushtarake rreth 10 km në lindje të Sofjes tronditi kryeqytetin bullgar të enjten në mëngjes (3 korrik). Shpërthimet që vazhduan me orë, dëmtuan shtëpitë në fshatrat pranë Çelopeçene, Kaziçene dhe Çepintsi dhe vunë në panik banorët.

"Këtë mëngjes në 6:30 am (03:30 GMT) , një zjarr shpërtheu në zonën e Çelopeçenes dhe shkaktoi shpërthimet që pasuan," njoftoi ministria e emergjencave.

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë bullgare, Zlatan Stojkov siguroi banorët e Sofjes se nuk kishte rrezik ndotjeje kimike apo radioaktive.

"Predhat atje janë predha konvencionale të ushtrisë dhe nuk ka element kimik, vetëm barut," tha ai rreth një orë pas shpërthimit të parë. "Unë ende nuk e di shkakun."

Zyrtarët e mbrojtjes më pas thanë se grumbulli përmbante 1,500 ton minicionesh të ndryshme. Ata paralajmëruan se bazuar në sasinë e paisjeve plasëse, shpërthimet kishin gjasa të vazhdonin gjatë gjithë ditës.

Rreziku më i madh për banorët e Sofjes ka ikur tashmë, pasi 20 ton TNT në rrezik, nuk shpërtheu, citoi më pas Agjensia e Lajmeve e Sofjes (SNA) ministrin e mbrojtjes Nikolai Tsenov të thoshte.

Njerëzit pranë vendit thanë se panë një re kërpudhë pas shpërthimit të parë. Shumë në Sofje i morën dridhjet për tërmete. Një copë predhë ra pranë aeroportit ndërkombëtar të Sofjes duke i bërë autoritetet të ridrejtonin fluturimet ardhëse në Plovdiv.

Njerëzit nga tre fshatra pranë u ankuan për dëmtimin nga plasjet të shtëpive të tyre. Vala zanore u përhap deri në perëndim, në Sofje, duke thyer xhamet e disa lagjeve të jashtme të kryeqytetit.

"Ishte e tmerrshme, pjesë dyersh, dritaresh e gjithëshka qenë rrotull meje," i tha një banor i Çepintsit transmetuesit privat Nova TV.

Zjarrfikësit rendën në zonën të cilën policia e mbylli menjëherë. Kryebashkiaku i Sofjes Bojko Borisov, tha se autobuzët do të evakuonin banorët e zonave të prekura. Ai u kërkoi atyre të qëndrojnë në shtëpi me dritaret të mbyllura.

Ministria e situatave emergjente vendosi më pas të evakuojë cilindo në një permetër 6 km rreth vendit të municioneve.

Shpërthimet në vazhdim e bënë vendin të pakapshëm për shpëtuesit, që do të prisnin së paku një ditë pas shpërthimit të fundit, thanë zyrtarët.

Kryeministri Sergej Stanishev thirri një takim urgjent të kabinetit. Por nga që asnjë autoritet, me përjashtim të kryebashkiakut të Sofjes, nuk lëshoi një deklaratë për më tepër se një orë pas shpërthimit të parë, partitë e opozitës së krahut të djathtë bënë thirrje për dorëheqjen e menjëherëshme të ministrit të situatave emergjente Emel Etem. Ato insistuan gjithashtu në një hetim të posaçëm parlamentar.

"Edhe një herë në kohën e krizës, qeveria bullgare braktisi detyrat e saj," u ankua Bashkimi i Forcave Demokratike.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading