23/06/2008
Plani i sekretarit të përgjithshëm të OKB Ban Ki-mun dërguar në Këshillin e Sigurimit të premten kërkon një tërheqje të UNMIK nga Kosova duke lejuar misionin e BE të marrë përgjegjësinë në shtetin e sapobërë të pavarur.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Kosovë -- 23/06/08
![]() Sekretari i përgjithshëm Ban Ki-mun tha se OKB duhet të pranojë "realitetin thellësisht të ri" që nga shpallja e njëanëshme e pavarësisë prej Kosovës. [Getty Images] |
Shumica e vendeve anëtare të OKB ra dakord me planin e ri të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-mun për praninë ndërkombëtare në Kosovë në takimin e Këshillit të Sigurimit të premten (20 qershor). Këshilli 15-vendesh megjithatë nuk votoi mbi propozimin e Ban dhe po vazhdon të debatojë në se duhet të miratojë planin ligjërisht.
Ban i tha Këshillit se OKB duhet të pranojë "realitetin thellësisht të ri" që kur Kosova shpalli njëanshmërisht pavarësinë në 17 shkurt. Ai tha se OKB nuk mund të trajtojë shumicën e detyrave në shtetin e ri. "Kjo duhet të pranohet si një fakt i jetës," tha ai.
Shefi i OKB caktoi gjithashtu diplomatin italian Lamberto Zanieri për të marrë përsipër detyrën si guvernator i OKB në Kosovë. Zanieri i cili ishte në Prishtinë të premten, tha se do të synojë për të nisur bisedime midis shumicës shqiptare etnike dhe pakicës serbe në Kosovë.
Takimi u ndoq si nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe nga homologu i tij serb Boris Tadiç. Ky i fundit, përsëriti se vendi i tij nuk do ta pranonte kurrë pavarësinë e Kosovës dhe se misioni i BE i planifikuar për ish krahinën është i paligjshëm.
"UNMIK nuk duhet ta lërë Kosovën. Vetëm Këshilli i Sigurimit mund të vendosë për të rikonfiuguruar situatën," tha Tadiç. Rusia, një nga pesë anëtarët e Këshillit me të drejtë vetoje, pohon gjithashtu se këshilli duhet ta miratojë një mision të tillë. Vendi këmbëngul se UNMIK duhet të mbetet në Kosovë, një qëndrim që bllokon BE për të ndihmuar ish krahinën të forcojë pavarësinë e vet.
"Ne mendojmë se është e paligjëshme pa sanksionet e duhura nga Këshilli i Sigurimit, të vendoset i ashtuquajturi misioni i rendit të ligjit i BE ," tha ambasadori rus në OKB Vitali Çurkin.
Shumica e vendeve anëtare të Be nuk janë dakord me Rusinë, duke ju përmbajtur asaj që propozimi dhe misioni nuk kanë nevojë për miratimin zyrtar të Këshillit sepse OKB në mënyrë të qënësishme po kontrakton detyrat e operacioneve të përditëshme, ndërsa mbetet përfundimisht e ngarkuar me to.
Ambasadorët e SHBA, MB dhe Kroacisë mbështesin gjithashtu propozimin e Ban për rikonfigurimin e UNMIK. Ata i bënë thirrje Beogradit të qetësojë politikën e vet të Kosovës.
"Ne pranojmë deklaratën e Ban Ki-mun që realiteti i ri në Kosovë duhet të jetë në përputhje me standardet aktuale," tha të premten përfaqësuesi i përhershëm i MB, Sër Xhon Sojers.
Kosova është në gjendje të qeveriset vetë dhe UNMIK nuk duhet të ketë një rol të madh në një shtet të pavarur, tha ambasadori i SHBA në OKB, Zalmaj Khalilzad. "Këshilli duhet të inkurajohet nga përparimi i shpejtë që Kosova ka arritur që nga pavarësia; ky përparim justifikon vendimin e sekretarit të përgjithshëm për të rikonfiguruar praninë e OKB ," tha ai.
Sejdiu tha se prania e UNMIK duhet të pakësohet dhe EULEX duhet të nisë të funksionojë. Ai tha se do të "punojë nga afër" me OKB ndërsa ajo riformaton rolin e vet, pjesë e të cilit do të jetë garantimi i sigurisë në zonat e pakicës serbe.