Kosova gëzon dyndjen e biznesmenëve kroatë

10/06/2008

Më tepër se 80 kompani kroate po konkurojnë për tendera dhe mundësi të tjera biznesi në kryeqytetin më të ri evropian, Prishtinë. Disa tani gëzojnë sukses.

Nga Natasha Radiç për Southeast European Times në Zagreb -- 10/06/08

photo

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina po pëson zhvillim të madh. [Robert Hersçbaç]

Pasi Zagrebi e njohu zyrtarisht Kosovën në mars, sektori kroat i biznesit ishte fillimisht i druajtur rreth hakmarrjeve të mundëshme ekonomike nga Serbia; megjithatë të tilla nuk pati. Kompanitë kroate u kthyen të papenguara në tregun e Kosovës ku kishin arritur më parë një masë suksesi.

"Kosova ofron mundësi të mëdha për investitorët dhe biznesmenët në fusha të ndryshme," thotë Iliriana Shehu, një përfaqësuese e Dhomës Kroate të Tregtisë në Prishtinë, në një intervistë me të përjavëshmen kroate Nacional. Ajo ndihmon kompanitë e vendit të saj të nisin punën në Kosovë dhe thotë se nga biznesi përfitojnë të dy vendet.

Këto kompani kërkojnë të zgjerohen në Kosovë ndërsa Kosova ka nevojë për investitorë që sjellin aftësi thelbësore dhe kanë çmime të arsyeshme. Më tepër se 80 firma kroate po veprojnë atje në fusha të ndryshme të tilla si ndërtimi, siguracionet, bankat e financat, moda dhe ushqimi, duke përfshirë Ledo, gjigandin rajonal kroat të akulloreve.

Përveç këtyre, kompanitë austriake, turke e sllovene kanë nisur të investojnë dhe të organizojnë ndërmarrje të përbashkëta me sipërmarrësit e rinj të Kosovës. Autoritetet e Kosovës u përpoqën të lehtësojnë procesin më shpejt, por ai ende kërkon 23 ditë dhe pesë hapa ligjore për të nisur një biznes.

Kompania kroate Konstruktor, me bazë në Split, sapo fitoi kontratën për të ndërtuar rrokaqiellen më të lartë të Ballkanit, në Prishtinë. Gjatë gjashtë viteve të ardhëshme, ajo do të rritet deri në lartësinë 165 metra, shoqëruar nga një qendër biznesi, zonë banimi dhe një qendër dyqanesh. Planifikuesit e parashikojnë atë si projektin më të madh të biznesit në Prishtinën moderne, me vlerë më tepër se 300 milion euro.

Firmat kroate të ndërtimit morën një reputacion të fortë në Kosovë nëpërmjet ndërtimit të aeroportit të Prishtinës nga kompania Ingra me bazë në Zagreb. Puna e saj mori vlerësime pozitive duke hapur kështu një shteg për të tjera kompani kroate.

Më pas, një tjetër kompani ndërtimi nga Zagrebi, IGH, fitoi një tender për të ndërtuar një nga rrugët më të mëdha në Kosovë, rrugën Prishtinë-Uroshevac. Banka Evropiane e Investimeve do të mbulojë kostot e projektit. Kompletimi pritet në tre vjet.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading