Turqia nis dialogun e ri me kurdët e Irakut

15/05/2008

Turqia pati kontaktin e parë të lartë zyrtar me qeverinë rajonale të kurdëve të Irakut, që sipas disa analistëve mund të përmirësonte klimën për zgjidhjen e çështjes kurde.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 15/05/08

photo

"Ky është një hap i rëndësishëm për krijimin e një atmosfere besimi," tha presidenti turk Abdullah Gul. [Getty Images]

Në një përpjekje për të hapur bisedime midis zyrtarëve turq dhe kurdëve të Irakut, kryekëshilltari i politikës së jashtme të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, Ahmet Davudoglu dhe i dërguari i posaçëm turk për Irakun, Murat Ozçelik u takuan me kryeministrin rajonal kurd Neçirvan Barzani në fillim të muajit.

Të dy palët shqyrtuan çështje që kanë dëmtuar marrëdhëniet e ndërsjellta, sipas një deklarate nga zyra e presidentit të Irakut, Xhalal Talabani. "Të dy palët kanë gjetur mekanizmin e nevojshëm për të kapërcyer këto pengesa që pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve," theksonte ajo.

Lidhjet e ngushta midis kurdëve të Irakut dhe Turqisë u përkeqësuan pas luftës së Irakut. Ankaraja akuzoi kurdët e Irakut për strehimin e Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) anëtarët e së cilës përdorën bazat në Iraklun e veriut për të nisur sulme përtej kufirit. Raprezaljet turke kundër PKK në muajt e fundit ndërlikuan tensionin.

Por pas takimit të Bagdadit, vërejtjet pozitive nga të dy palët sinjalizojnë një periudhë të re. Presidenti rajonal kurd Masud Barzani nënvizoi se kontakti i parë zyrtar në vite ndihmoi të hiqet një "barrierë psikologjike". "Ky është një hap i rëndësishëm për krijimin e një atmosfere besimi," tha presidenti turk Abdullah Gul.

Barzani refuzoi gjithashtu të takohej me një delegacion nga Partia pro-kurde e Shoqërisë Demokratike (DTP). "Barzanët e kuptuan se ndërsa po krijonin një atmosferë të re pajtimi me Ankaranë, do të ishte gabim të takonin një delegacion që është kaq ngushtë i identifikuar me PKK nga turqit," tha kryekolumnisti i The New Anatolian.

Ministri i jashtëm turk Ali Babaçan tha se do të kishte shpejt një dialog i ngushtë, si me qeverinë qendrore të Irakut dhe me atë rajonale kurde, mbi energjinë, tregtinë dhe luftën kundër terrorizmit. Niveli dhe shpeshtësia e dialogut do të lidhen ngushtë me retorikën dhe bëmat konkrete, veçanërisht ato lidhur me luftën kundër terrorizmit, tha Babaçan.

"Politika jonë e Irakut kërkon dialog të mëtejshëm dhe marrëdhënie të përmirësuara me të gjitha grupet në vend... Tani ju mund të prisni një rritje në kontaktet me administratën lokale në Irakun e veriut në nivele të ndryshme," tha Babaçan.

Sipas Sedat Bozkurt të televizionit Fox Turk, bashkëpunimi i fundit midis të dy palëve nuk do të përfshinte një operacion të përbashkët kundër PKK në rajon, pasi kurdët e Irakut kanë ende rezerva. "Por ajo do të vërë patjetër presion psikologjik ndaj PKK," tha ai, duke shtuar se opsioni ushtarak nuk mund të jetë i vetmi mjet përt të eleminuar PKK. "Të dy palët kanë nevojë për njera tjetrën," vuri në dukje ai.

Turqia rriti veprimin ushtarak kundër PKK duke filluar nga dhjetori 2007, me goditje ajrore dhe një inkursion tokësor në shkurt.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading