12/05/2008
Koalicioni pro-evropian rreth presidentit Boris Tadiç fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e përgjithëshme të së dielës por aftësia e tij për të formuar një qeveri të re është e pasigurtë.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 12/05/08
![]() "Qytetarët për Serbinë kanë konfirmuar udhën evropiane të Serbisë," tha presidenti Boris Tadiç. "Serbia do të jetë në BE. Ne e kemi premtuar këtë dhe do ta përmbushim këtë." [Getty Images] |
Koalicioni rreth Partisë Demokratike (DS) të presidentit serb Boris Tadiç mori shumicën e votave të dielën (11 maj) por ai mund të mos jetë në gjendje të formojë një qeveri.
Sipas Qendrës për zgjedhje të Lira e Demokraci (CESID), një OJQ me bazë në Beograd, demokratët që mbrojnë integrimin më të shpejtë të mundshëm në BE do të fitojnë 103 nga 250 vende në parlament. DS i dha fund kështu mbizotërimit afat-gjatë të Partisë Radikale Serbe të ekstremit të djathtë, e cila do të mbajë 77 vende.
Koalicioni rival rreth Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), kryesuar nga kryeministri Vojislav Koshtunica, do të ketë 30 vende, ndërsa Paryia Socialiste e Serbisë do të ketë 20 vende. Partia Liberal Demokratike do të mbajë 13 vbende ndërsa partitë që përfaqësojnë pakicat etnike do të kenë deri në dhjetë vende. Sipas CESID, pjesëmarrja ishte rreth 61%.
Në qoftë se zyrtarët konfirmojnë këto rezultate, partia e Tadiç nuk mund të formojë një qeveri pa mbështetjen ose të DSS të Koshtunicës ose të socialistëve, të cilët deri në vdekjen e tij i drejtoi ish presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç. Nga ana tjetër, Radikalët mund të fitojnë një shumicë duke bërë aleancë me DSS dhe Partinë Socialiste.
Gjatë fushatës, Tadi] dhe Koshtunica shkëmbyen akuza të ashpra, duke e bërë pa gjasa bashkëpunimin e tyre në një tjetër qeveri. Koshtunica i qortoi demokratët për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit me BE, duke pretenduar se ata në fakt njohën pavarësinë e Kosovës e cila u shkëput zyrtarisht nga Beogradi në 17 shkurt.
Tadiç, nga ana tjetër, e akuzoi Koshtunicën për ndaljen e integrimit evropian në luftën e tij për Kosovën. Kështu, formimi i një kabineti të ri do të varet nga Socialistët, që gjykuar nga fushata e tyre, vijnë më pranë qëndrimeve të DSS dhe Radikalëve. Partia njoftoi bisedimin e parë me Koshtunicën rreth një koalicioni potencial. Nënkryetari i Partisë Radikale Tomislav Nikoliç gjithashtu njoftoi negociata me Koshtunicën që nga e hëna.
Tadiç tha se ai do të niste menjëherë formimin e një qeverie të re e cila do të luftonte për anëtarësimin në BE dhe ruajtjen e autoritetit serb mbi Kosovën. Ai paralajmëroi partitë kundërshtare kundër "luajtjes me vullnetin e shtetasve" dhe kundër formimit të një qeverie që do ta shtynte Serbinë prapa në izolim.
Nikoliç, nga ana e tij, e akuzoi Tadiç për shkeljen e kushtetutës duke hedhur poshtë mundësinë e një qeverie pa partinë e tij.
Koshtunica dhe zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste nuk thanë gjë të dielën rreth partnerëve të mundshëm të koalicionit.
Analistët e Beogradit thonë se negociatat ndërpartiake do të jenë të ashpra dhe se Socialistët ndoshta do të luajnë një rol vendimtar. Analisti Jovo Bakiç tha se fitorja nga partia e Tadiç u tregoi Socialistëve se me cilën anë duhet të venë. Afati i fundit për formimin e një qeverie është mesi i shtatorit.
Ndërkohë, serbët e Kosovës votuan të dielën në zgjedhjet lokale. disa me shpresë se Beogradi do të rimarrë autoritetin mbi Kosovën.
"Kosova është pjesë e Serbisë," tha Dragan Miliç pasi hodhi votën e tij pranë Prishtinës. Nga ana tjetër, një 45-vjeçar i paidentifikuar, tha: "Unë votova në zgjedhjet e Kosovës [në vend të kësaj]. Unë e pranova realitetin e ri."
"Këto 'zgjedhje lokale', përfundimi i tyre dhe institucionet bashkiake serbe pë të cilat ato kanë për qëllim të zgjedhin përfaqësues janë të gjitha pa bazë ligjore apo efekt në Kosovë," tha shefi i UNMIK-ut Joakim Ruker.
Serbët janë aktualisht grupi i dytë etnik në Republikën e Kosovës. Janë midis 120,000 dhe 150,000 serbë atje ose 7% deri 8% e popullsisë.
Në këtë artikull kontribuoi Blerta Foniqi-Kabashi.