Zgjedhjet serbe shihen si një udhëkryq

08/05/2008

Serbët do të zgjedhin të dielën në se duan të shpejtojnë në integrimin në BE apo ta mbajnë fokusin mbi Kosovën

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 08/05/08

photo

Partia Radikale Serbe pritet të fitojë 91 nga 250 vendet në parlament të dielën. [Davor Konjikushiç]

Ndërsa fushata në Serbi po mbyllet, votuesit janë të polarizuar midis Partisë Radikale Serbe të së djathtës ekstreme dhe koalicionit rreth Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiç.

Ndërsa demokratët mbrojnë hyrjen e shpejtë të Serbisë në BE si një përparësi, Radikalët thonë se gjëja më e rëndësishme për Serbinë është të mbajnë Kosovën pjesë të Serbisë dhe se udhëtimi për në BE duhet shtyrë në qoftë se ai do të thotë braktisje e krahinës e cila shpalli pavarësinë në 17 shkurt.

Qeveria serbe u rrëzua në 8 mars për shkak të kundërshtimit midis kryeministrit Vojislav Koshtunica dhe partisë së Tadiç lidhur me Kosovës dhe integrimin e mëtejshëm evropian.

Koshtunica dhe Partia e tij Demokratike e Serbisë (DSS) besojnë se vendi duhet të mos bashkohet me BE deri sa anëtarët e Bashkimit të njohin pavarësinë e Serbisë mbi Kosovën. Pavarësia e Prishtinës është njohur deri tani nga 20 prej 27 anëtarëve të BE.

Sipas sondazheve të opinionit kryer nga agjensia Medium Gallup në fund të prillit, Partia Radikale Serbe mund të fitonte 91 nga 250 vendet në parlament në zgjedhjet e së dielës (11 maj).

Demokratët e Tadiç ka gjasa të marrin 88 vende, ndërsa partia e Koshtunicës prietet të fitojë 30 vende.

Partia Socialiste e Serbisë, e cila thekson gjithashtu sovranitetin mbi Kosovën si një përparësi, mund të fitojë rreth 16 vende, Ndërsa Partia Liberale Demokratike e cila është në favor të integrimit të shpejtë në BE, shpreson për 15 vende. Pjesa tjetër e vendeve ka gjasa t'u shkojnë partive që përfaqësojnë pakicat etnike.

Formimi i një qeverie të re mund të varet edhe një herë nga Koshtunica, i cili luajti gjithashtu një rol vendimtar pas dy cikleve zgjedhore të kaluara. Analistët thonë se është zorr të besohet se, pas kaq shumë kundërshtish, Koshtunica do të zgjedhë Demokratët si partnerë përsëri.

Ai, megjithatë nuk ka përmendur drejtpërsëdrejti ndonjë partner të ardhshëm koalicioni, kështu që Serbia ka gjasa të shohë bisedime lodhëse mbi formimin e një kabineti të ri. Mund të mos jetë e mundëshme të formohet një qeveri e re pa një partner të tretë. Shumë mund të varet nga Socialistët, të cilët kanë qenë gojëkyçur rreth një koalicioni të mundshëm.

Një nga temat kryesore të fushatës ishte nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) me BE. Demokratët e Tadiç përshëndetën marrëveshjen si tepër të rëndësishme për Serbinë ndërsa Koshtunica dhe Radikalët thanë se do ta anullojnë atë po të fitonin një shumicë në parlament.

Pas nënshkrimit të 29 prillit, Tadiç e përshkroi SAA si një dokument që do të hapë rrugën për përparimin ekonomik dhe do të ndihmojë luftën për Kosovën.

Por Koshtunica dhe Radikalët thonë se ajo është "një masë antikushtetuese dhe antishtetërore", një e tillë që është barabar me njohjen e tërthortë të pavarësisë së Kosovës.

Për shkak të qëndrimit të tyre ndaj SAA, shumë analistë parashikojnë se Koshtunica do të bëhet bashkë me Radikalët. Perspektiva e një koalicioni të tillë e shqetëson Perëndimin dhe partitë pro-perëndimore në Serbi. Ata janë në merak se një qeveri e DSS dhe Radikalëve jo vetëm do të anullojë SAA por do të ndalë bashkëpunimin me gjykatën e Hagës për krimet e luftës, duke e shpënë Serbinë në izolim prej Evropës.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading