29/04/2008
Rasti i fundit gjyqësor kundër Kroacisë për parregullsitë në blerjen nga Hypo Bank të Slavonska Banka mund të shuajë entusiazmin e investitorëve të huaj.
Nga Kristina Çuk për Southeast European Times në Zagreb –29/04/08
![]() Kroacia duhet t'i paguajë 40 milion euro Hypo Bank të Austrisë për parregullsi në shitjen e pjesës së Slavonska Banka. [BE] |
Agjensia Kroate për Mbikqyrjen e Bankave ka humbur në rastin Hypo Bank AG International kundër Kroacisë, në gjykatën e arbitrazhit në Londër, në një verdikt të mbyllur muajin e kaluar. Kroacia i detyrohet 40 milion euro Hypo Bank të Austrisë për parregullsi në shitjen e e pjesës së Slavonska Banka në 1988. Hypo Bank e akuzoi Agjensinë për Mbikqyrjen e Bankave për keqparaqitje të fletës së bilancit të Slavonska Banka dhe prej këtej, për shkelje të kushteve për shitjen e aksioneve të bankës.
Hypo Bank investoi në Slavonska Banka në 1988 si një partner strategjik i Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (EBRD) duke blerë stokun nga një agjensi shtetërore. Gjatë blerjes, Slavonska Banka fshehu humbje të rëndësishme që kishte në regjistrat e vet, duke i shkaktuar Hypo Bank humbje prej 35 milion euro pas blerjes së aksioneve.
Pasi ajo nuk mundi të mbërrijë marrëveshje me Kroacinë për kompensimin, Hypo Bank kërkoi shpagim në gjyq. Së pari ajo ngriti padi në gjykatën e arbitrazhit në Zagreb. Pasi nuk doli e kënaqur prej andej, ajo e shpuri padinë në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër.
"Kroacia do të paguajë 40 milion euro nga të ardhurat e veta të taksave," tha presidenti Stipe Mesiç. Ai theksoi se dikush duhej të mbante përgjegjësinë, duke fajësuar "maestrot tipikë" të privatizimit të stilit kroat.
Rasti është nën hetim nga policia dhe agjensi të tjera qeveritare. Slavonka Banka refuzoi të komentojë. Kryeministri Ivo Sanader po kërkon përgjigje për dy padi të tilla që Kroacia ka humbur, një e ngritur nga Hypo Bank dhe tjetra nga Astalsi e Italisë, së cilës Kroacia i detyrohet për dëmet pas humbjes së një mosmarrëveshje rreth ndërtimit të udhëshpejtës Zagreb-Goriçan.
"Ne duam që gjithshka të hetohet tërësisht: kush është përgjegjës dhe në qoftë se ky ishte një rast paaftësie apo diçka tjetër," tha Sanader në 27 mars, duke konfirmuar se prokurori i shtetit dhe ministria e drejtësisë po shyqrtonin rastin.
Përfundimi i rastit të Hypo Bank ka ndezur kritika nga Austria. Vendi pretendon se Kroacia po demonstron qeverisje të keqe, jurisprudencë të ngadalshme dhe korrupsion.
Ministri i jashtëm kroat Gordan Jandrokoviç kundërshtoi kritikat si të pajustifikuara. Megjithatë, këto raste mund të frenojnë investimin e huaj, duke penguar rritjen e vendit dhe stabilitetin. Ky ishte konsensusi i ekonomistëve që diskutuan Kroacinë për Njësinë e Inteligjencës Ekonomike. Pas intervistimit të 600 investitorëve, ata gjetën se rreziqet e investimeve, siç qe shembulli i Slavonska Banka, rritja e pagave dhe fundi i privatizimit janë pengesat kryesore.