24/04/2008
I takuar me zyrtarët në Prishtinë, ministri i jashtëm sllovak Jan Kubis shprehu dëshirën për partneritet me Kosovën por e ndau këtë nga njohja e pavarësisë së saj.
Nga Blerta Foniqi-Kabashi për Southeast European Times në Prishtinë – 24/04/08
![]() Ministri i jashtëm sllovak Jan Kubis (majtas) dhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu në një konferencë shtypi në Prishtinë të martën (22 prill). [Getty Images] |
Sllovakia i ofron partneritet Kosovës por vazhdon të jetë kundër deklarimit të saj të njëanshëm të pavarësisë. Ky ishte mesazhi që diplomati i lartë sllovak solli në Prishtinë të martën (22 prill), 64 ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë e vet.
"Ne diskutuam bashkëpunimin midis dy vendeve dhe afirmuam se Sllovakia do që të jetë partnere me Kosovën," tha ministri i jashtëm sllovak Jan Kubis pas një takimi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu.
"Qëndrimi i vendit tonë mbetet i pandryshuar," tha Kubis. "Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk erdhi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç kishte kërkuar Sllovakia. Por kjo nuk na prek ne në pasqyrimin e realiteteve të reja dhe prandaj unë jam këtu të konfirmoj partneritetin tonë dhe t'u bëj të njohur ju se ne synojmë ta ndihmojmë Kosovën në fushën e ekonomisë si edhe në aspekte të tjera."
Ai shtoi se Sllovakia po "mbikqyr tani sigurinë që Kosova i ka ofruar komunitetit të vet serb."
Nënkryeministri Hajredin Kuçi tha se ai kërkoi njohjen sllovake të shtetformimit të Kosovës dhe tha se Kubis diskutoi bashkëpunimin midis Kosovës dhe Sllovakisë.
"Unë besoj se partneriteti është i ndërsjelltë dhe ekuivalent. Refuzimi i tanishëm i Sllovakisë për të njohur Kosovën nuk është një pengesë për bashkëpunimin," tha Kuçi.
Sllovakia është midis disa vendeve anëtare të BE, që përfshin gjithashtu Spanjën, Rumaninë dhe Qipron, që kanë kundërshtuar të njohin një Kosovë sovrane, në disa raste për shkak të shqetësimeve rreth bërjes shembull për lëvizjet separatiste. Megjithatë, zyrtarët e lartë të Bratislavës nuk e përjashtojnë dhënien e njohjes në të ardhmen dhe Kubis ka përsëritur vazhdimisht se Kosova nuk duhet të jetë e izoluar.
I pyetur në një konferencë shtypi në Prishtinë në se kishte arritur në Kosovë apo në Serbi, Kubis u përgjegj, "Unë jam në Kosovë."
Ai shtoi se vendi i tij ishte gati të kontribuonte në Kosovë si pjesë dhe e EULEX dhe e KFOR.