Përfaqësuesit serbë kthehen në institucionet e Kosovës

24/03/2008

Dy ministra serbë ndoqën një takim qeverie të enjten dhe një udhëheqës partie u zotua se ligjebërësit do të rinisin punën e tyre në parlament. Shumë serbë të Kosovës megjithatë, thonë se përfaqësuesit nuk kanë mandat real për të përfaqësuar komunitetin e tyre.

Nga Blerta Foniqi-Kabashi dhe Igor Jovanoviç për Southeast European Times – 24/03/08

photo

"Qëllimi është për Kosovën dhe Serbinë si dy shtete për t'u integruar në BE," tha ligjebërësi serb i Kosovës Dragisha Miriç. [Getty Images]

Dy ministra serbë ndoqën një takim të qeverisë së Kosovës të enjten (20 mars) për herë të parë në disa javë dhe një një parti e vogël serbe tha se anëtarët e saj do të kthehen në parlament dhe institucionet qeverisëse. Rëndësia e masës së tyre, megjithatë është vënë në pikpyetje nga krerë të tjerë serbë, që thanë se politikanët nuk kanë mandat.

Ministri i mirëqënies sociale dhe i punës, Nenad Rasiç dhe ministri i kthimeve dhe komuniteteve Boban Stankoviç, kishin lënë punën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt. Duke u kthyer të enjten, ata mbështetën shumicën e vendimeve të marra nga kabineti.

Ndërkohë, kreu i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviç tha se deputetët dhe punonjësit civilë nga partia e tij do t'i jepnin fund bojkotimit një-mujor.

"Kjo është punë normale dhe një hap i mirë për serbët," tha nënkryeministri Hajredin Kuqi pas sesionit të së enjtes. Po atë ditë, presidenti Fatmir Sejdiu u takua me Petroviç dhe e përshëndeti atë si një "zë i rëndësishëm për bashkëpunimin tonë".

Për shumë serbë të Kosovës, megjithatë, asnjë nga përfaqësuesit e tyre në institucionet nuk ka ndonjë legjitimitet të vërtetë pasi shumica e gjerë e votuesve në komunitet bojkotuan serinë e fundit të zgjedhjeve të përgjithëshme në 17 nëntor 2007.

Me ligj, serbëve u garantohen dhjetë nga 120 vendet në parlament pavarësisht nga pjesëmarrja. Të dhënat e zgjedhjeve treguan se vetëm rreth 1% e rreth 120,000 votuesve të mundshëm serbë të Kosovës, shkuan në votime.

Goran Bogdanoviç, një zyrtar i degës së Kosovës të Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiç, tha se kthimi i përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës ishte një mesazh i keq për serbët që jetojnë në Kosovë.

"Unë mendoj se kjo vetëm demonstron mungesën tonë të unitetit në Kosovë dhe Metohi. Ja pse ne jemi në një gjendje që një numër i vogël serbësh, që nuk kanë besueshmëri, po përfaqësojnë krejt komunitetin serb në këto institucione," tha Bogdanoviç.

Kreu i Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës Qendrore, Dragan Veliç, e hodhi poshtë kthimin duke thënë se ai ishte thjesht një orvatje nga komuniteti ndërkombëtar dhe Prishtina për të gjetur serbë të gatshëm të tradhëtonin interesat kombëtare për hir të interesave të vetë atyre.

Përfaqësuesit, megjithatë, thonë se prania e tyre është e nevojshme me qëllim që të garantohet se komuniteti i tyre ka një zë. "Ne do të punojmë për interesat e serbëve, sepse kjo është rruga më e mirë," tha Petroviç duke shtuar se serbët nuk kanë ndërmend të ikin nga Kosova.

"Ne do të banojmë këtu dhe do të luftojmë për të drejtat tona," tha ai.

Dragisha Miriç, një anëtar i parlamentit, tha se e ardhmja varet nga bashkëpunimi. "Ne do të shkojmë në çdo shtëpi serbe në enklavë dhe t'i themi atyre se ata duhet të jetojnë e punojnë së bashku me shqiptarët," tha ai.

"Qëllimi është për Kosovën dhe Serbinë si dy shtete për t'u integruar në BE," shtoi Miriç.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading