17/03/2008
Me më pak se një muaj deri në takimin e NATO-s në Bukuresht, partitë parlamentare kanë rënë dakord të mbështesin kryeministrin Nikola Gruevski. Megjithatë, një krizë e re shpërtheu të hënën, pasi anëtarët e Partisë Demokratike të Shqiptarëve kërcënuan një bojkotim.
Nga Zoran Nikolovski për Southeast European Times në Shkup – 17/03/08
![]() Kryeministri Nikola Gruevski arrin për një takim urgjent me krerët e partive kryesore politike në Shkup. [Getty Images] |
Partitë politike të Maqedonisë ranë dakord të shtunën (15 mars) që kryeministri Nikola Gruevski duhet të drejtojë një qeveri të pakicës deri sa të mbahet samiti i NATO-s në Bukuresht në 2 prill. Por një grindje e re shpërtheu të hënën pasi anëtarët e Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH) kërcënuan një bojkotim të institucioneve qeveritare.
PDSH la koalicionin qeverisës muajin e shkuar duke thënë se Gruevski kishte refuzuar kërkesat e partisë. Megjithatë, të gjitha partitë parlamentare të Maqedonisë, duke përfshirë PDSH, ranë dakord të shtunën se administrata e tanishme duhet të vazhdonte bazuar në gjendjen kritike që Maqedonia ndesh lidhur me ofertën e saj në NATO.
Kjo ofertë është në rrezik për shkak të mosmarrëveshjes që vazhdon për emrin me Greqinë, një anëtare e Aleancës. Athina thotë se do të përdorë fuqinë e saj të vetos për të ndaluar një ftesë të dhënë Maqedonisë po qe se nuk arrihet një formulë e pranueshme përpara samitit.
Qeveria e Gruevskit përballet me një raund tjetër bisedimesh në Vienë këtë javë, ku i dërguari i posaçëm i OKB Methju Nimetz po takon negociatorët e të dy palëve.
"Ne do të funksionojmë si një qeveri pakice për dy apo tre javët e ardhëshme, me mbështetje të gjerë politike dhe ne kemi shpresë se një marrëdhënie e tillë do të demonstrohet në parlament," tha të shtunën ministri i jashtëm Antonio Milososki.
Jani Makraduli, nën president i partisë më të madhe të opozitës, Bashkimit të Social Demokratëve të Maqedonisë (SDSM) tha se si një parti e përgjegjëshme, SDSM do të mbështesë qeverinë deri në prill.
PDSH u nda me koalicionin qeverisës javën e shkuar për shkak se nuk mori mbështetje për disa propozime të sajat, duke përfshirë përdorimin më të gjerë të gjuhës dhe flamurit shqiptar dhe më shumë përfitime për veteranët etnikë shqiptarë të konfliktit të 2001. PDSH do gjithashtu që Maqedonia të njohë Kosovën e sapo shpallur të pavarur.
Pavarësisht nga tërheqja, partia fillimisht pranoi të mbështeste qeverinë e pakicës. Të hënën, megjithatë, një anëtar i rëndësishëm i saj, nënkryeministri Imer Aliu, tha se PDSH nuk mund të punonte më me Gruevskin. Ai tha se do t'i këçrkonte udhëheqjes së partisë të lëshonte një deklaratë ku t'u bënte thirrje të gjithë shqiptarëve etnikë të tërhiqeshin nga institucionet qeverisëse.
Komentet e Aliut u duk se u provokuan nga një intervistë që Gruevski dha gjatë fundjavës në të cilën ai sugjeroi se PDSH po punonte për interesa të huaja.
Edhe me një bojkot të PDSH, administrata e Gruevskit do të ishte në gjendje të funksiononte pasi ende ka mbështetje të mjaftueshme parlamentare.
Presidenti Branko Crvenkovski, një anëtar i SDSM, tha se me vetëm 20 ditë për të shkuar në samitin e prillit, bisedimet me Greqinë janë në "fazën e tyre më delikate".
Ai sinjalizoi gjithashtu se dritarja është e hapur për një kompromis të mundshëm. "Në qoftë se gjendet një formulim me një term shtesë apo një mbiemër, që nuk do të thotë prishje të identitetit kombëtar por më tepër një përshkrim shtesë të organizimit tonë shtetëror, unë mendoj se ne mund të arrijmë objektivat e të dy vendeve," tha presidenti. Komenti i tij u duk se devijoi nga qëndrimi i mëprashëm i Maqedonisë sipas të cilit përjashtohej çdo modifikim i emrit të vendit.