17/03/2008
Lufta midis sekularistëve turq dhe qeverisë së kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan është ndezur përsëri me kryeprokurorin Abdurrahman Jalçinkaja që kërkon që kryeministri dhe 70 të tjerë të ndalohen nga politika.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times-- 17/03/08
![]() Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan. [Getty Images] |
Kryeprokurori turk Abdurrahman Jalçinkaja ka ngritur një padi me gjykatën kushtetuese të vendit duke i kërkuar asaj të mbyllë partinë qeverisëse. Ai akuzon se Partia për Drejtësi e Zhvillim (AKP) është bërë një "pikë qendrore" për veprimtaritë që pengojnë sekularizmin dhe se partia ka një "axhendë të fshehur" që ka për qëllim ta transformojë Turqinë në një vend islamik.
Prokurori kërkoi që 71 anëtarë të partisë duke përfshirë kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan, të ndalohen nga politika për pesë vjet.
Masa e Jalçinkajës është raundi i fundit në një luftë të ashpër midis qeverisë së drejtuar nga AKP dhe forcave laike të vendit që përfshijnë ushtrinë, gjyqësorin dhe akademinë. Në qoftë se rasti shkon përpara, votat e shtatë gjykatësve do të jenë mjaft për të ndaluar partinë. Tetë nga 11 gjykatësit atje janë emëruar nga ish presidenti Ahmet Nexhdet Sezer, një sekularist i vendosur.
AKP e përshkruan veten si një parti demokratike konservatore. Ajo korri një fitore të fortë në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke marrë 47% të votave. Muajin e shkuar, duke tronditur sekularistët, ajo ja doli të heqë një ndalim për mbajtjen e shalleve islamikë të kokës në universitete.
Në padinë e tij prej 162 faqesh, Jalçinkaja thoshte se heqja e ndalimit ishte një hap kyç i kërkuar nga islamistët politikë. Ai rreshtoi gjithashtu deklarime të ndryshme nga Erdogan që i referoheshin Islamit dhe ligjit islamik. Këto deklarime, tha prokurori, zbulonin një strategji të planifikuar nga AKP për të kthyer Turqinë në një shtet teokratik.
Jalçinkaja përmendi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të ndaluar shitjen e alkoholit në restaurante dhe në baret në pronësi të klubeve sportive. Vetëm pas padisë, megjithatë, një ministër i kabinetit të Erdogan tha se ndalimi do të shtyhej për një vit.
Në një fjalim të dielën, Erdogan deklaroi besnikërinë e tij ndaj sekularizmit. Ai kundërshtoi gjithashtu masën e prokurorit duke thënë se përpjekjet për të përdorur gjyqësorin për të shpërbërë partinë qenë jodemokratike.
Opinioni në median turke ka qenë i përzjerë. Duke shkruar në Hurriyet, e përditëshmja kryesore e vendit, kolumnisti Enis Berberoglu tha se politikat e qeverisë së AKP që kur fitoi rizgjedhjet kanë ndryshuar mjaft nga ato në termin e saj të parë. Kur votuesitr mbështetën Erdogan në votim, shkuante Berberoglu, kjo ishte sepse ata prisnin prej tij vazhdonte një politikë të sigurtë ekonomike dhe të shkonte përpara me reformat politike të frymëzuara nga BE.
"Në qoftë se Tajip Erdogan vazhdonte në rrugën që drejtuan këto vota, përshpejtonte hapat e tij në rrugën e Evropës dhe ekonomisë globale, ai nuk do të ndeshte një rast të tillë," shkruante kolumnisti, duke akuzuar se tani AKP është më e interesuar në debatin në se të rinjve duhet t'u kërkohet të studjojnë kuranin.
Një tjetër penë e shquar, Hasan Çemal i Milliyet është me forcë kundër rastit. "Gjykata kushtetuese duhet të kudësrshtojë kërkesën për mbylljen dhe duhet t'i japë fund procesit të bërjes së Turqisë një varrezë për partitë poliitke. Ajo duhet të shmangë mundësinë e kaosit politik."
Në fundjavë, BE shprehu shqetësim rreth zhvillimeve të reja. "Në një demokraci normale evropiane, çështjet politike debatohen në parlament dhe vendosen nëpërmjet kutisë së votimit, jo në sallën e gjyqit," tha komisioneri i zgjerimit Olli Rehn. "Ekzekutivi nuk duhet të përzjehet në punën e gjykatës ndërsa sistemi ligjor nuk duhet të përzjehet në politikat demokratike."