UNMIK i kërkohet të vazhdojë mbrojtjen e kufirit Kosovë-Serbi

11/03/2008

Zyrtarët e BE të hënën i kërkuan UNMIK të mbajë praninë e tij përgjatë kufirit me Serbinë deri sa misioni policor e gjyqësor i Bashkimi të marrë këto detyra.

(Reuters, AFP, DPA, Balkan Insight, B92, Slovenian EU Presidency website - 10/03/08)

photo

Forcat çeke të KFOR ruajnë pikën kufitare të Merdares midis Kosovës dhe Serbisë, rreth 40 km nga Prishtina. BE këtë javë i bëri thirrje OKB të rritë sigurinë në Kosovë duke përmendur rrezikun e ndarjes. [Getty Images]

BE i kërkoi UNMIK të hënën (10 mars) të garantojë mbrojtjen e kufirit të Kosovës me Serbinë deri sa misioni i sapolindur policor e gjyqësor i bllokut 27-vendesh (EULEX) të bëhet plotësisht operacional.

Bashkimi dha miratimin përfundimtar për nisjen e operacionit një ditë përpara se Kosova të shpallte pavarësinë nga Serbia, në 17 shkurt. Misioni policor, zyrtar[ dogane, prokurorë e gjykatës prej rreth 2000 forcash i BE pritet të marrë përsipër detyrat e UNMIK pas mesit të qershorit.

Ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e rradhës së BE vuri në dukje të hënën se nuk kishte patur "shpërthime të mëdha dhune" që nga shkëputja e Kosovës dhe se në disa vende situata ishte më e mirë se ç'pritej. Megjithatë, BE do që UNMIK të vazhdojë mbrojtjen e zonës kufitare midis Kosovës e Serbisë deri sa EULEX të marrë këto detyra.

"Ka patur sulme në kufi, djegie të kontejnerëve e kështu me rradhë, kështu që UNMIK ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur," tha Rupel në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel.

Rupel shtoi se, "Ne kemi mbështetur idenë që UNMIK të vazhdojë punën në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës dhe ta mbajë kufirin në kushte të mira."

Ai la të kuptohej gjithashtu se 120 ditët e parashikuara të periudhës së tranzicionit, pas së cilës EULEX duhej të merrte detyrat e plota të policisë së kryera nga UNMIKU që nga 1999, mund të shtyheshin.

"Në të kaluarën, ne presupozuam se në kohën e duhur misioni evropian do të zëvendësonte UNMIK," tha Rupel. "Por kjo do të dojë ca kohë dhe tranzicioni do të kërkojë përpjekje të mëtejshme."

Detyra kryesore e EULEX do të jetë të trainojë dhe këshillojë policinë e Kosovës, drejtësinë dhe personelin kufitar si edhe të ndihmojë shtetin më të ri të Evropës në përpjekjet e tij për të ndërtuar institucionet e reja. Ndërsa EULEX do të paiset me njësi kundër trazirave, përgjegjësinë kryesore për trajtimin e dhunës së mundëshme dhe garantimin e stabilitetit në Kosovë, do të vazhdojë ta ketë KFOR.

Shefi i EULEX, Iv dë Kermabon tha të hënën se një grup prej 20 anëtarësh të lartë të misionit kanë arritur tashmë në Kosovë për të mbikqyrur ngritjen e operacionit i cili do të bëhet pas konsultimeve shtesë me OKB.

"Vendosja ka nisur, elementët e parë u nisën javën e shkuar," i tha AFP në një intervistë telefonike nga Nju Jorku, gjenerali frëng dhe ish komandanti i trupave të KFOR.

Këshilli i Sigurimit të OKB po mban një sesion rreth Kosovës të martën, me kërkesë të Rusisë dhe Serbisë.

Beogradi ka kundërshtuar si shpalljen e pavarësisë së Prishtinës ashtu dhe misionin e BE, duke e përshkruar atë si të paligjshëm. Ai u bën thirrje serbëve etnikë të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Incidentet e fundit në veriun e vendit të mbizotëruar nga serbët, kanë ndezur frikë për atë që ministri i jashtëm hollandez Maksim Verhagen e përshkroi të hënën si një "ndarje të butë" të shtetit më të ri të Evropës.

Shtetet e Bashkuara dhe 18 vende anëtare të BE janë midis vendeve që e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës.

Duke hedhur poshtë çdo bisedim për ndarjen e mundëshme të vendit përgjatë vijave etnike, ndihmësi i sekretarit të departamentit të shtetit për çështjet evropiane dhe evro-aziatike Daniel Fraid tha gjatë një vizite në Prishtinë të premten se pavarësia e vendit është një fakt. "Historia duhet të shkojë përpara,' shtoi ai.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading