Alarm në Turqi mbi dhunën kundër të krishterëve

29/01/2008

Një seri sulmesh të fundit kanë theksuar kërcënimin që ndeshin pakicat fetare, më së shumti nga grupe ekstreme ultranacionaliste.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 29/01/08

photo

BE ka fajësuar Turqinë për mosdhënien e mbrojtjes së duhur për të krishterët dhe pakicat e tjera. [Foto e SETimes]

Adriano Françini, një prift katolik 65 vjeçar, sapo kishte kryer meshën e së dielës në kishën e Shën Antonit në Izmir kur një djalë i ri iu afrua duke shprehur interes të kthehej në të krishter. Ndërsa prifti fliste me të, i riu, në fakt një nacionalist i zjarrtë, reagoi me zemërim dhe i nguli atij thikën në stomak.

Françini shpëtoi. Por tre misionarë protestantë në shenjestrën e një sulmi më parë gjatë vitit qenë me më pak me fat. Ata u torturuan me orë të tëra përpara se të vriteshin nga një grup të rinjsh në qytetin lindor Malatja. Në 2006, një tjetër prift katolik, Andrea Santoro u qëllua për vdekje ndërsa qe përgjunjur të falej, nga një 16 vjeëar.

Të krishterët në Turqi ndeshin armiqësi jo vetëm nga ekstremistët islamikë por edhe nga ultranacionalistët që e shohin praninë e tyre si një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Seri popullore televizive të tilla si "Lugina e ujqërve" i portretizojnë misionarët si agjentë në një komplot nga fuqitë globale për të minuar Islamin dhe kombin turk. Ishte një shfaqje e TV ajo që thuhet se frymëzoi sulmuesin e Françinit.

Vala e sulmeve dhe veçanërisht vrasjet në Malatja, kanë tronditur shumë turq. Me shumicë muslimane por një vend laik, Turqia krenohet në vetvete me tolerancën fetare. Qeveria dhe gati të gjitha grupet politike dënuan me forcë vdekjen brutale të misionarëve.

Përt kritikët megjithatë, dhuna është një shenjë se Turqisë i mungojnë standardet everopiane për lirinë fetare. Brukseli ka kohë që ankohet se vendi nuk mbron plotësisht pakicat jo-muslimane.

Sipas një avokati që përfaqëson familjet e misionarëve të vrarë, një nga vrasësit kishte kontakte me policinë lokale. Ministria e brendshme e Turqisë ka nisur një hetim që atëhere.

Avokati, Mehmet Ali Koçak, u ankua gjithashtu se padia rreshtonte cilindo në komunitetin protestant të Turqisë, duke dhënë informacion të detajuar rreth tyre. Kjo e bëri të gjithë grupin një objektiv, argumentoi ai, duke theksuar se autoritetet dukeshin më të interesuar në theksimin e veprimtarive misionare të krishtera se sa në ekspozimin e fajtorëve të vërtetë prapa vrasjeve.

Një tjetër avokat që përfaqëson familjet e viktimave, Orhan Kemal Çengiz, akuzoi se shtypi lokal në Malatja kishte kryer një fushatë anti-misionare e cila mund të ketë ndihmuar të nxitet sulmi.

Misionarët përfshinin dy shtetas turq, Nexhati Ajdin dhe Ugur Juksel, si dhe një shtetas gjerman, Tilman Geske. E shoqja e Geske, Suzana, nuk fajëson turqit në përgjithësi për ekstremizmin që i mori jetën burrit të saj. Ajo thotë se e do Malatjan dhe do të vazhdojë të jetojë atje me fëmijët e saj.

"Pas vdekjes së tij, njerëzit në fqinjësi erdhën në shtëpinë tonë për të shprehur respekt. Imami i qytetit na vizitoi dhe ofroi ngushëllimet e veta. Unë kam besim në sistemin dhe drejtësinë laike të Turqisë," thotë Geske.

Zafer Uskul, kreu i komitetit për të drejtat e njeriut në parlament, ka marrë pjesë në dy gjyqe lidhur me rastin e Malatja, i dyti nga të cilët nisi në 14 janar.

"Turqia është shtet sekular," tha Uskul. "Një nga domosdoshmëritë thelbësore të sekularizmit shtetëror është të garantosh mbrojtjen e lirisë fetare. Shteti duhet të ketë një distancë të barabartë nga të gjitha sistemet e besimeve. Megjithatë, këta njerëz u vranë për shkak të besimeve të tyre. Kjo është e paparanueshme."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading