Kryeministri i BiH jep dorëheqjen

02/11/2007

Kriza politike në Bosnje dhe Herzegovinë u thellua të enjten pas vendimit të Nikola Spiriç për të dhënë dorëheqjen si kryetar i këshillit të ministrave të vendit.

(AP, FT, Independent, Blic - 02/11/07; AP, Reuters, AFP, DPA, BBC, UPI, AKI, Fena, Beta, B92, BIRN, Office of the High Representative - 01/11/07)

photo

Kryeministri i Bosnje dhe Herzegovinës Nikola Spiriç u drejtohet gazetarëve ndërsa njofton dorëheqjen e tij në Sarajevë të enjten (1 nëntor). [Getty Images]

Kryeministri i Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) Nikola Spiriç dha dorëheqjen të enjten (1 nëntor) në shenjë proteste ndaj masave të miratuara ndërkombëtarisht që kanë për qëllim përmirësimin e funksionalitetit të institucioneve shtetërore, duke përfshirë kabinetin e tij.

"Unë kam dorëzuar dorëheqjen time në presidencën e Bosnjes," u tha gazetarëve Spiriç, një anëtar i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) të kryeministrit të Repiblika Srpska (RS) Milorad Dodik.

Ai dha dorëheqjen një ditë pasi bordi drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC) shprehu mbështetjen e tij për reformat që Përfaqësuesi i Lartë Miroslav Lajçak propozoi muajin e shkuar në një orvatje për të rregulluar procesin vendim-marrës në qeverinë qendrore dhe parlamentin e BiH.

Plani që diplomati sllovak njoftoi në 19 tetor parashikon ndryshime në rregullat e kuorumit në të dy institucionet duke e bërë më të vështirë për ministrat e ligjbërësit për të bllokuar miratimin e vendimeve dhe legjislacionit, thjesht duke bojkotuar sesionet.

Politikanët serbë boshnjakë, të cilët e kanë përdorur shpesh këtë taktikë, reaguan të zemëruar ndaj masës së Lajçak. Duke pretenduar se reformat e propozuara qenë anti-kushtetuese dhe në shkelje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund konfliktit të 1992-1995 në BiH, ata kërcënuan të lënë postet e tyre në institucionet e nivelit shtetëror.

Lajçak ka paralajmëruar se po të mos zbatohen masat deri në 1 dhjetor, ai do të përdorë pushtetin e tij si administrator i lartë ndërkombëtar për t'i detyruar ato.

Fuqitë e mëdha që bëjnë pjesë në bordin drejtues të PIC dhe që mbikqyrin mëkëmbjen e pasluftës së BiH thanë të mërkurën se vendimet e Përfaqësuesit të Lartë "janë plotësisht në përputhje me mandatin e tij dhe kushtetutën e BiH" dhe kërkuan zbatimin e tyre të menjëhershëm.

"I vetmi objektiv i këtyre masave është të rregullojnë procesin vendim-marrës në këshillin e ministrave dhe në parlament dhe ato janë të nevojshme për shpejtimin e procesit të reformës," thanë zyrtarët ndërkombëtarë në një deklaratë lëshuar në fund të takimit të tyre dy-ditor në Sarajevë.

Ndërsa njoftoi masat muajin e shkuar, Lajçak vuri në dukje se vetëm tre ligje reformash qenë miratuar në 12 muajt e fundit. Nga këto, vetëm një lidhej me integrimin në BE.

Me sa duket i zemëruar nga mbështetja e komunitetit ndërkombëtar për Përfaqësuesin e Lartë, Spiriç pretendoi se ndërhyrja e tyre e kishte bërë të pamundur punën e tij.

"Dymbëdhjetë vjet pas Dejtonit, Bosnje dhe Herzegovina nuk është, për fat të keq, një vend sovran," u tha ai gazetarëve. "Dymbëdhjetë vjet pas Dejtonit, të huajt kanë sundimin ekskluziv mbi këtë vend dhe unë besoj se kjo nuk është mirë për këtë vend dhe shtetasit e tij."

Dorëheqja e Spiriç do të thotë se qeveria e BiH është tani në një mandat teknik, tha Lajçak të enjten, duke spjeguar se kabineti mbetet përgjegjës për të siguruar që administrata vazhdon të funksionojë.

"Vendimi i Nikola Spiriç është e dreja dhe zgjedhja e tij, por nuk është një veprim i përgjegjshëm," tha ai. "Ai nuk do të qetësojë situatën e tanishme politike por unë pres që këshilli i ministrave të ushtrojë mandatin e vet teknik plotësisht."

Kriza politike e tanishme është më e keqja që vendi ka ndeshur që nga fundi i konfliktit 1992-1995.

Kryeministri serb Vojislav Koshtunica duke ndërhyrë të enjten kërkoi që Lajçak të japë dorëheqjen. "Lajçak është përgjegjës për krizën në Bosnje," i tha kreu serb agjensisë së lajmeve Tanjug. "Do të ishte e natyrshme për të të jepte dorëheqjen, në vend të të ushyqerit të mëtejshëm të krizës."

Javën e shkuar, Koshtunica i ofroi serbëve boshnjakë mbështetjen e plotë të vendit të tij për fushatën e tyre kundër "kërcënimit të hapur" ndaj interesave të tyre. Duke pretenduar se masat e Lajçak kishin për qëllim shfuqizimin e Republika Srpska, ai la gjithashtu të kuptohej se këto politika qenë pjesë e një konspiracie anti-serbe që kishte për qëllim dhënien e pavarësisë Kosovës.

Në përgjigje, pesë ambasadorë perëndimorë me bazë në Beograd dërguan protesta zyrtare në ministrinë e jashtme serbe rreth qëndrimit të vendit në krizën politike boshnjake, duke paralajmëruar gjithashtu kundër orvatjeve për të lidhur procesin e statusit të Kosovës me të ardhmen e BiH.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading