Grindja e gjirit Piran pengon ende lidhjet kroato-sllovene

06/03/2006

Kroacia dhe Sllovenia po luftojnë ende të arrijnë marrëveshje rreth kufirit të diskutueshëm detar në gjirin Piran. Në qoftë se bisedimet e drejtpërdrejta nuk do të japin një marrëveshje, palët mund të përfundojnë përpara një gjykate ndërkombëtare.

Nga Kristina Çuk për Southeast European Times në Zagreb -- 06/03/06

photo

"Kroacia duhet të gjejë kushtet për vendosjen e marrëdhënieve të mira e të qëndrueshme me Slloveninë dhe kërkesa për një zgjidhje ndërkombëtare është ndoshta e vetmja rrugë optimale," tha Kryeministri Ivo Sanader. [Getty Images]

Pas më tepër se një dhjetëvjeçari, Kroacia dhe Sllovenia mbeten të paafta për të zgjidhur grindjen e tyre rreth një seksioni të Adriatikut që lidh të dy vendet. Kufiri detar në gjirin Piran, njohur si gjiri i Savudrisë nga kroatët, mbetet i papërcaktuar dhe kundërshti periodike kanë shpërthyer rreth të drejtave të peshkimit.

Problemi është një trashëgimi e kohës së Jugosllavisë, gjatë së cilës kufiri detar nuk u shënua kurrë qartësisht. Ndonëse krerët kroatë e sllovenë nënshkruan një marrëveshje më 2001, ajo u kundërshtua nga publiku kroat dhe nuk u ratifikua kurrë nga parlamenti.

Vjeshtën e shkuar, qeveria sllovene ngriti një zonë ekologjike jashtë brigjeve të veta, duke e shtyrë Zagrebin të ankohet se ishte cënuar sovraniteti i tij. Sipas Kryeministrit slloven Janez Jansa, vendit të tij i takojnë ujrat territoriale që shtrihen 12 milje nga bregdeti dhe dalje e papenguar në ujrat ndërkombëtare.

Zagrebi, megjithatë, e ka kundërshtuar me forcë këtë pretendim. "Ne nuk do të lejojmë peshkatarët sllovenë të peshkojnë në pjesë kroate të gjirit Piran," tha Kryeministri Ivo Sanader, duke shtuar se qeveria e tij "do të bënte gjithshka për të shmangur incidentet".

Kroacia thotë se do të kërkojë arbitrazh ndërkombëtar ose do ta çojë rastin ose në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë ose në Gjykatën e Ligjit të Detit në Hamburg.

"Sllovenia nuk mund të jetë armik i Kroacisë; përkundrazi; Sllovenia është një aleat natyral sepse të dyja dolën nga Jugosllavia. Kroacia duhet të gjejë kushtet për vendosjen e marrëdhënieve të mira e të qëndrueshme me Slloveninë dhe kërkesa e një zgjidhjeje ndërkombëtare është ndoshta rruga më optimale," tha Sanader.

Presidenti slloven Janez Drnovshek thotë se të dy palët duhet të përpiqen të arrijnë një marrëveshje nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta, por të kërkojnë burime ndërkombëtare në qoftë se procesi dështon. Çështja duhet të zgjidhet përpara se Sllovenia të marrë presidencën e rradhës së BE në 2008, thotë ai.

Fakti që Sllovenia është anëtare e BE dhe Kroacia një kandidate për anëtarësim, jep një dimension shtesë ndaj grindjes. Duke nënkuptuar se Zagrebi ka nevojë për mbështetjen e fqinjës së vet, zyrtarët sllovenë kanë sugjeruar që të drejtat e peshkimit në gjirin Piran të jenë të lidhura me rregullat e BE dhe kanë akuzuar Kroacinë për zvarritje këmbësh në përmbushjen e kërkesave të BE në atë fushë.

"Marrëdhëniet kroato-sllovene nuk mund të dëmtojnë negociatat kroate me BE," ngulmon Sanader.

Në shkurt, komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn tha se zgjidhja e çështjes varej nga të dy vendet, jo nga Brukseli. Ndërsa Komisioni Evropian (KE) mund të ndihmojë me procesin e negociatave, tha ai, ai nuk ka pikëpamje mbi një zgjidhje dhe nuk mund të japë gjykim mbi çështjen.

"Ne jemi të bindur se një regjim i duhur funksionues peshkimi mund të reduktojë ndjeshëm numrin e incidenteve. Megjithatë, vendet duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje sëbashku," shtoi ai.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading