09/06/2008
Me plazhet e afërta që ofrojnë një mundësi me kosto të ulët, shumë njerëz në Evropën Juglindore nuk kanë nevojë të udhëtojnë larg për të bërë pushimet. Prapë, një numër në rritje kursejnë për t'i bërë pushimet jashtë.
Nga Natasha Radiç për Southeast European Times në Zagreb -- 09/06/08
![]() Evropiano-jugorët shkojnë për pushime. [Getty Images] |
Është vetëm qershor por temperaturat në Evropën Juglindore kanë sinjalizuar tashmë se vera është në udhë. Valët e të nxehtit dhe shkëlqimi i diellit e bëjnë edhe më të vështirë se zakonisht të përqëndrohesh në punën e përditshme dhe të mos mos mendosh përpara për pushimet e verës. Me Ballkanin që po bëhet një pikë e favorizuar turistike, shumë familje nga jashtë rajonit kanë rezervuar tashmë pushimet e tyre. Po lokalët? Ku shkojnë ata kur të nxehtit e verës bëhet i papërballueshëm?
Sipas një sondazhi nga agjensia kryesore turistike kroate, Generalturist, kroatët pushues priren për të marrë vendimin e tyre në minutën e fundit. Konsiderata më e madhe është çmimi. Rreth 16% i kalojnë pushmet jashtë, me Turqinë, Greqinë dhe Tunizinë midis destinacioneve kryesore. Mesatarja e pushimeve jashtë zgjat rreth dy javë.
Të shkuarit jashtë megjithatë, konsiderohet një luks. Për familjen mesatare kroate, kjo do të thotë të shpenzosh deri 1,000 euro në javë. Duke patur parasysh se paga mesatare në Kroaci është tamam mbi 700 euro në muaj, një udhëtim i tillë kërkon kursime me vite. Shumë vendosin në vend të kësaj t'i kalojnë verat e tyre në bregdet, me familjet e miqtë.
Bullgarët gjithashtu tradicionalisht kanë pushuar në vendin e tyre. Në të kaluarën, shumica kalonte pushimet në vendpushimet e Detit të Zi. Një numër i vogël shkonin në male, ndërsa një përqindje fare e vogël, shumica të moshuar, rrinin në shtëpi. Vitet e para pas rënies së komunizmit në 1989, u pa një rënie e madhe në numrin e njerëzve që mund të përballonin një pushim veror, duke arritur në 12% në 1993.
Ndërsa ekonomia nisi ta marrë veten, gjërat ndryshuan. Gjithnjë e më tepër njerëz qenë në gjendje të kalonin pushimet verore të tyre në vendpushimet e shumta përgjatë bregdetit 378 km të gjatë të Detit të Zi, i cili ofron gati 70 plazhe. Dy vendpushimet më të mëdha në bregdet, Golden Sands në veri dhe Sunny Beach në jug, tërheqin qindra pushues. Të tjerë vendpushime të favorizuara janë Albena dhe fshatrat e pushimit Dyuni, Elenite dhe Rusalka.
![]() Turistët dynden në plazhin pranë qytetit Nesebar, Bullgari, në Detin e Zi. [Getty Images] |
Qytetet e vjetër Nesebar dhe Sozopol janë gjithashtu shumë popullorë. Rrugët e ngushta me kalldrëm në pjesët e vjetra të dy qyteteve, sheshet e vegjël dhe shtëpitë dykatëshe me themele guri dhe katet e sipërme të dala, tërheqin ata që kanë prirje romantike. Në verën e vonë, Sozopoli tërheq artistë, shkrimtarë dhe muzikantë që dynden në qytet për festivalet vjetore të artit të Apollonias, zakonisht që mbahen në krye të shtatorit.
Një numër në rritje bullgarësh megjithatë, duket të ndjehen të pakënaqur me ndërtimet e tepërta, strukturat e papërshtatshme dhe çmimet e larta në vendpushimet e vendit të tyre. Në vitet e fundit, shumë e më shumë kanë nisur t'i kalojnë gjetkë pushimet e tyre. Vendpushimet turke në Kusadasi, Antalia dhe Marmaris, ishujt grekë dhe Kosta Brava, Kosta Blanka, Kosta del Sol dhe ishujt Baleare dhe Kanaries të Spanjës, kanë dalë si destinacionet kryesore.
Disa nga plazhistët më të thekur të rajonit gjenden në Shqipëri. Në tërësi, shqiptarët preferojnë pushimet me diell në vend të atyre malore. Plazhet në Velipojë dhe Lezhë në veriperëndim, Durrës në qendër dhe Vlorë e Sarandë në jug, janë të mbipopulluara gjatë verës.
Çdo fundjave të verës, familje dhe grupe të rinjsh dynden në këto plazhe. Distancat e shkurtra janë një faktor. Duhen vetëm 40 minuta të udhëtohet nga Tirana në një nga plazhet pranë Durrësit dhe tre orë të mbrrish Vlorën në jug.
![]() Shumë plazhistë kalojnë pushimet e tyre në plazhet shqiptare të Durrësit. [Getty Images] |
Shqiptarët nuk kanë pasë shpenzuar shumë për pushimet e tyre. Gjatë periudhës komuniste, gjithkush merrte një biletë për dy javë në një nga vendpushimet e vendit. Kjo biletë jo e shtrenjtë, njohur si fletë kampi merrej nëpërmjet fabrikave apo agjensive ku punonin njerëzit. Që nga 1990 natyrisht, situata ka ndryshuar. Shumë tani kanë nisur të mbledhin para gjatë vitit me qëllim që të shpërblejnë veten me 7 apo 10 ditë lluksi në sezonin e lartë të verës.
Numri i shqiptarëve që shkojnë jashtë me pushime ka qenë në rritje. Zgjedhjet popullore përfshijnë Turqinë, Egjiptin dhe vendet e BE të tilla si Greqia, Italia dhe Spanja. Ata me të afërm në vendet e BE shpesh kombinojnë pushimet e tyre bashkë. Më pranë shtëpisë, Maqedonia dhe Mali i Zi ofrojnë mundësi për udhëtime fundjave dhe kostot atje mbeten krahasimisht të ulta.
Prirjet në Rumani kanë shumë të përbashkëta me pjesën tjetër të Ballkanit. Rumunët gjithashtu kanë një zgjedhje midis detit apo pushimeve malore dhe ndërsa kostoja mbetet një shqetësim i rëndësishëm, një numër në rritje po shohin për mundësi jashtë po ashtu në vendin e tyre.
Bullgaria, Qiproja, Turqia dhe Tunizia janë midis destinacioneve të huaja më me gjasa për të tërhequr rumunët, thotë Traian Badulesku i Shoqatës Kombëtare të Shoqërive të Udhëtimit (ANAT). Nga ata që qëndrojnë në vend, shumica preferon plazhet e Detit të Zi. ANAT parashikon një 15% rritje në pushimet në detin e Zi këtë vit.
Si në vende të tjera rreth Evropës Juglindore, shumë në Rumani kombinojnë pushimet për bashkime familjare, duke shkuar shpesh herë për të vizituar të afërmit në pjesë të tjera të vendit. Të tjera zona të vizituara më së shumti përfshijnë manastiret në verilindje dhe deltën e Danubit.
Pavarësisht një prirje në rritje në turizëm, megjithatë shumë rumunë priren të kursejnë paratë dhe telashet dhe thjesht rrinë në shtëpi. Sipas një sondazhi kombëtar nga Gallup, më tepër se 70% nuk shkuan gjëkundi për pushime vitin e kaluar.
Shumë në fakt, janë jashtë krejtësisht nga sektori i turizmit. "Në zonat rurale, 90% e njerëzve zorr se shkojnë me pushime," thotë sociologu i Gallup, Aleksandru Toth. "Programe të turizmit për të moshuar dhe pensionistë, nuk ekzistojnë."
Në këtë reportazh kontribuan Manjola Hala në Tiranë, Svetla Dimitrova në Sofje dhe Alina Bandila në Bukuresht.