Midis reformave turke, terroristët ende provokues

31/03/2008

Me autoritetet që po bëhen më të hapura ndaj shqetësimeve kurde, e ka humbur fushata e terrorit e PKK logjikën e vet?

Ajhan Shimshek për Southeast European Times –31/03/08

photo

Një përkrahës i PKK mban flamurin e grupit terrorist. [Getty Images]

Megjithëse ndjek një reagim ushtarak ndaj terrorizmit të Partisë Punëtore të Kurdistanit, qeveria turke është për një hapje të re ndaj shtetasve kurdë etnikë. Ditë pas një ofensive të kufizuar tokësore kundër bazave të PKK në Irakun e veriut, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan njoftoi një plan të ri ambicioz për të rritur perspektivat ekonomike në juglindjen turke të populluar kryesisht nga kurdët, që përfshin investime deri në 15 miliard $.

Ai u zotua gjithashtu për të nisur një stacion të ri publik televiziv që do të transmetojë në gjuhën kurde dhe u kujtoi anëtarëve të PKK një legjislacion amnistie që ofron më pak dënime apo lirime të parakohshme për ata që dorëzohen dhe ofrojnë informacion mbi grupin.

Nëpërmjet masave të tilla, administrata e Erdogan shpreson të bindë kurdët në Turqi se Ankaraja po u drejtohet shqetësimeve të tyre ndërkohë që frenon tërheqjen e tyre nga PKK. Megjithatë, organizata terroriste ka kundërsulmuar duke përqeshur përpjekjet dhe duke argumentuar se marka e saj vdekjeprurëse e "revolucionit" mbetet i vetmi opsion i vërtetë. Programi social ekonomik i Erdogan nuk është gjë tjetër veçse një "vazhdim i politikës që mohon realitetin kurd," tha Duran Kalkan, një anëtar i lartë i grupit.

Themeluar në vitet 1970 si një grup marksist që mbron një "republikë popullore" në Turqinë juglindore, PKK përshkruan një shtet të pavarur për kurdët që do të përfshinte Irakun e veriut dhe pjesë të Iranit e Sirisë gjithashtu. Për të fituar mbështetje midis kurdëve turq për vizionin e tyre madhështor, grupi shfrytëzon pakënaqësinë lidhur me pabarazitë ekonomike dhe politikat qeveritare që synojnë frenimin e nacionalizmit kurd.

Ai kërkon gjithashtu të fitojë kapital politik nga një fushatë ushtarake në vazhdim nga Turqia, e cila ka kryer sulme ndërkufitare në bazat e PKK në Irakun e veriut. "Ushtria turke do të vazhdojë luftën e saj kundër PKK ndërsa qeveria turke do të vazhdojë politikat e saj anti-kurde në fushat e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë," tha Kalkan në një intervistë botuar në një uebsajt të PKK.

Por janë të tilla pretendime ende të besueshme? Pjesërisht të bashkuara me ofertën e vet për në BE, autoritetet në Turqi kanë bërë hapa konkrete në vitet e fundit për të lehtësuar kufizimet në të drejtat e pakicave. Për herë të parë në dekada, një parti politike e lidhur me kauzën kurde (dhe shumica në Ankara pretendojnë se është e lidhur me PKK) ka përfaqësues në parlament.

Administrata ka theksuar përsëritshëm se një reagim ushtarak ndaj terrorizmit nuk është mjaft; duhet drejtuar gjithashtu ndaj rrënjëve të pakënaqësisë kurde. Ajo po punon mjaft të bëjë rastin për një zgjidhje politike brenda parametrave të shoqërisë civile. Dhe megjithatë, dhuna që mori më tepër se 37,000 jetë gjatë gjysmë shekullit të shkuar, vazhdon.

photo

Demonstruesit në një protestë në Londër dënojnë PKK. [Getty Images]

Armëpushimet e prishura ndërsa fraksionet nuk bien dakord

Këtë muaj, Konfederata Demokratike e Kurdistanit (KCK), një ombrellë për grupe të ndryshme të jashtëligjshme të lidhura me PKK, bëri thirrje për një armëpushim të kushtëzuar dhe dialog me qeverinë turke. Por ajo paralajmëroi gjithashtu për një "luftë të gjatë me dekada" në qoftë se kërkesat e saj nuk përmbusheshin. Ndërsa pretendon se do të negociojë, grupi vë në pikëpyetje gjithashtu traktatet bazë dhe integritetin territorial të Turqisë, një qëndrim që zyrtarët turq e gjejnë plotësisht të papranueshëm.

PKK ka shpallur disa armëpushime të njëanshme në të kaluarën, por asnjë nuk ka qëndruar. Për këtë fajësohet pjesërisht fraksionalizmi. Grupe të ndryshme ndjekin politika të ndryshme dhe disa forca të fuqishme brenda PKK vazhdojnë ta shohin dhunën si një mënyrë për të arritur objektivat e tyre.

Edhe ndërsa KCK lëshoi thirrjen e vet për dialog, komandanti i PKK Bahoz Erdal, një shtetas sirian, u zotua të vazhdojë sulmet ndaj ushtarëve turq dhe objektivave të tjerë. Kalkan, ndërkaq këmbënguli se "klima e luftës është e qëndrueshme dhe është i vetmi mjet nëpërmjet të cilit kurdët fitojnë politikisht."

'PKK në pikën më të dobët por më të rrezikshme'

"PKK është sot në pikën më të dobët por gjithashtu më të rrezikshme," thotë Sedat Laçiner, president i Organizatës Ndërkombëtare të Kërkimit Strategjik. "Duke qënë nën presion të rëndë, grupi terrorist tani mund të përpiqet të nisë sulme të bujshme duke përdorur gjithashtu bombat vetëvrasëse që do të tregonin forcën e tij."

Turqia ka kryer operacione ushtarake kundër terroristëve të PKK në Irakun e veriut që nga dhjetori dhe në shkurt nisi një ofensivë tokësore tetë-ditore duke vrarë së paku 240 terroristë, sipas shtabit të përgjithshëm. Një fushatë e suksesshme ushtarake kombinuar me diplomacinë e mirë-drejtuar ka prerë burimet logjistike dhe financiare të PKK, tha Laçiner.

Pëeveç kësaj, shton ai, grupi është tani i izoluar politikisht. Si rezultat, ai mund të synojë tani, siç ka bërë në të shkuarën, të kërkojë mbështetje të lojtarëve globalë apo rajonalë që mund ta përdorin atë si një lloj "nënkontraktori" për politikat e tyre rajonale.

PKK është në gjendje të mbijetojë pjesërisht për shkak të strukturës saj si prej oktapodhi, me veprimtari kriminale të shtrira anembanë rajonit dhe Evropës. Sipas Raporteve të Vendit mbi Terrorizmin, të departamentit të shtetit të SHBA në prill 2007, organizata financon operacionet e saj nëpërmjet kontrabandës së drogës dhe njerëzve në Evropë si edhe nëpëmjet fondeve të zakonshme të ngritura ndërmjet simpatizantëve.

Shumë ekspertë të sigurisë, si në vend dhe ndërkombëtarë, kanë kohë që argumentojnë se natyra e kërcënimit të PKK e bën atë të pakëshillueshme të mbështetet vetëm në një përgjigje ushtarake. Përkundrazi, Turqia duhet të vazhdojë të punojë me vendet e tjera, veçanërisht në Evropë, për të prerë fondet dhe rekrutimin. Në vend, ndërkohë, qeveria duhet të punojë për të bindur kurdët që ta vënë besimin e tyre në shoqërinë dhe rendin e ligjit.

Nënzhvillimi social e ekonomik është një nga fatkeqësitë me të cilat PKK është ushqyer në të kaluarën. Tani kryeministri Rexhep Tajip Erdogan po udhëheq një plan agresiv 15 miliard $ për të rritur investimin dhe perspektivat ekonomike në Turqinë juglindore si një element kyç në luftën më të gjerë kundër terrorizmit.

Një tjetër ankesë është historia e Turqisë në të kaluarën për të theksuar sigurinë në dëm të të drejtave të njeriut. Ndjenja se kurdët janë të diskriminuar dhe u mungon vetë-vendosja e ka ndihmuar PKK të ketë tërheqje gjatë dy dekadave të fundit. Deri vonë, qoftë dhe ideja e një radioje dhe një programi TV në gjuhën kurde ishte e kundërshtueshme në Turqi.

Në 2004, u fut një sasi e kufizuar transmetuesish në gjuhën kurde. Administrata e Erdogan thotë se planet e saj shkojnë edhe më tej. Një stacion televiziv i posaçëm do të transmetojë jo vetëm në gjuhën kurde por gjithashtu në arabisht e farsi. Kryeministri ngulmon se qeveria e tij do të vazhdojë me reformat e reja. Ai ka udhëzuar gjithashtu një nga zëvendësministrat për të kaluar kohë në rajon dhe për të fituar një tablo më të qartë të shpresave atje.

photo

Fermerët kurdë punojnë në një fushë pambuku pranë kufirit të Turqisë me Irakun. Qeveria në Ankara ka njoftuar një plan ambicioz për nxitjen e zhvillimit ekonomik në pjesët e vendit të mbizotëruara nga kurdët. [Getty Images]

DTP e sheh programin qeveritar si 'të pamjaftueshëm'

Pavarësisht nga përpjekjet e veta, megjithatë, qeveria turke ende ndesh skepticizëm. Partia pro-kurde e Shoqërisë Demokratike (DTP) ka thënë se nuk i bën përshtypje kjo. "Ne duhet së pari të ulemi e të flasim pa detyrim," tha Sirri Sakik, një deputet me ndikim i DTP. "Në qoftë se qeveria e AKP është e sinqertë në përpjekjet e veta për të zgjidhur problemin kurd, le të shkojmë për një referendum dhe të pyesim kërkesat e popullit kurd."

DTP kërkon njohjen nga Turqia të identitetit kurd në kushtetutën e vet dhe një lloj autonomie në juglindje. Për shkak të ngjashmërive midis platformës së saj dhe kërkesave të PKK, është provuar e pamundur për një dialog midis qeverisë dhe partisë kryesore kurde të Turqisë.

Veçanërisht në lidhje me terrorizmin e PKK, Erdogan ndeshet me presionin e fortë publik që i kërkon atij të mos ketë të bëjë asgjë me DTP. Ai kohët e fundit hodhi poshtë një kërkesë nga anëtarët e partisë për t'u takuar me të dhe tha se mund ta bënte këtë deri sa ata të përcaktonin PKK si një grup terrorist dhe të dënonin haptazi dhunën. Zemërimi publik rreth dhunës së PKK ka qenë i lartë që nga tetori i kaluar kur sulmet terroriste lanë së paku 47 të vdekur duke përfshirë 35 ushtarë në vetëm një muaj. Konflikti ka marrë më shumë se 37,000 jetë që nga viti 1984.

Ka prova në rritje, ndërkaq që dështimi i DTP për ta ndarë veten nga PKK po rrënon bazën e partisë midis kurdëve etnikë. Në nëntor 2007, grupi i kërkimit Metropol kreu një sondazh të opinionit në juglindje. Më tepër se një e treta e të anketuarve (35.1%) thanë se DTP nuk përfaqëson kurdët etnikë, ndërsa 38.6% thanë se i përfaqëson ata plotësisht.

Sipas Metropoll, DTP "ka ndërtuar trashëgiminë e vet politike mbi të drejtat demokratike të popullsisë së rajonit dhe në zgjidhjen e çështjes kurde. Por ata duhet të ndeshen me kritikë të ashpër negative për shkak të veprimeve të fundit terroriste. "Një nga arsyet kryesore, sipas studjuesve, është dështimi i partisë për ta quajtur PKK një organizatë terroriste.

Sondazhi gjeti pak mbështetje për objektivat e PKK. Një shumicë (64.5%) janë kundër krijimit të një shteti kurd në Irakun e veriut dhe një shumicë dërrmuese prej 95.2% thanë se më mirë do të rrinin në Turqi se sa të shkonin për të jetuar në një shtet të tillë. Mbi gjysma e të anketuarve (51.5%) thanë se një veprim ndërkufitar kundër bazave të PKK në Irakun e veriut ishte i domosdoshëm.

Të pyetur se kush është politikani i tyre i preferuar, gati 60% e të anketuarve përmendën kryeministrin Erdogan. 65% thanë se votuan për AKP gjatë zgjedhjeve të fundit dhe edhe më shumë (68.3%) thanë se do të bëjnë kështu prapë. Ekipi kërkimor paralajmëroi megjithatë se këto shifra ndryshojnë nga pjesëmarrja në fakt në zgjedhje. Disa të anketuar mund të mos kenë dashur të pranojnë mbështetjen e DTP, thanë kërkuesit.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading