17/03/2008
Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë do të kontribuojë shumë në stabilizimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, thotë presidenti maqedonas Branko Crvenkovski në një intervistë ekskluzive për Southeast European Times.
Nga Marina Stojanovska për Southeast European Times në Shkup -- 17/03/08
![]() Presidenti maqedonas Branko Crvenkovski. |
Southeast European Times: Zoti president, a prisni ju një periudhë të trazuar për rajonin pas pavarësisë së Kosovës?
Branko Crvenkovski: Shpallja e pavarësisë së Kosovës padyshim vë disa rreziqe. Fakti që as Serbia dhe as popullsia serbe në Kosovë si edhe një numër vendesh anembanë botës nuk janë dakord me këtë veprim flet për një periudhë sfidash serioze që ne po përballim.
Për mendimin tim, çështja kyçe është në mënyrën se si do të lëvizin gjërat në pjesën veriore të Kosovës, ku banon shumica e popullsisë serbe. Në qoftë se një prani e efektshme e strukturave ndërkombëtare dhe autoriteteve të reja të Kosovës nuk është vendosur në atë pjesë ne mund të jemi me gjasë dëshmitarë të së ashtuquajturës "ndarje e butë" e Kosovës, që do të jetë një gjenerator i përhershëm i paqëndrueshmërisë brenda Kosovës vetë si edhe një inkurajim për dallime të reja etnike në rajon.
Setimes: Si mund ta cënojë pavarësia Maqedoninë dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë? A prisni ju bllokada ekonomike apo të tjera ?
Crvenkovski: Republika e Maqedonisë nuk e ka përcaktuar ende marrëdhënien e saj përfundimtare ndaj pavarësisë së Kosovës. Ne ende i përmbahemi qëndrimit tonë se si një vend kandidat për anëtarësimin në BE dhe NATO, do të ndjekim politikën e përbashkët të këtyre strukturave ndaj kësaj çështjeje. Megjithatë, sigurisht, vendimi përfundimtar dhe koha kur do të bëhet varet më së shumti nga vlerësimet për mbrojtjen e interesave tona kombëtare e shtetërore.
Si një fqinj i afërt, ne jemi të vendosur të ndërtojmë marrëdhënie barazisht të mira si me Beogradin dhe me Prishtinën. Nuk varet vetëm nga ne por edhe nga sjellja e fqinjëve tanë në se do t'ja dalim ta bëjmë këtë.
Setimes: Prisni ju që Maqedonisë t'i jepet një ftesë në samitin e Bukureshtit dhe si do të ndikojë kjo në situatën e sigurisë në rajon? Përveç kësaj, a prisni ju ndryshime në situatën ekonomike të vendit?
![]() Një ushtar maqedonas puth djalin e tij për mirupafshim përpara largimit në një mision paqeruajtës në Afganistan. Vendi ka kontribuar me paqeruajtës në disa misione anembanë globit. [Getty Images] |
Crvenkovski: Republika e Maqedonisë ka përmbushur të gjitha kriteret e domosdoshme për të marrë një ftesë për në NATO. Pa dyshim, pranimi ynë në Aleancë si edhe pranimi i dy vendeve të tjera të Kartës Adriatike: Shqipërisë dhe Kroacisë, do të kontribuojë shumë në stabilizimin e mëtejshëm të rajonit. Kjo ka peshë shtesë bazuar në shpalljen e pavarësisë nga Kosova dhe rreziqet që rrjedhin prej saj. Çdo garantim shtesë ndaj politikave dhe sigurisë së stabilitetit (dhe anëtarësimi në NATO ofron garanci të tilla), është një shtytje e fortë për një dyndje të investimeve të reja dhe zhvillimit ekonomik.
Setimes: Është mosmarrëveshja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë një pengesë për pranimin e Maqedonisë në NATO?
Crvenkovski: Mosmarrëveshja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë është një mosmarrëveshje dypalëshe që në asnjë mënyrë nuk i përket kritereve për anëtarësim dhe parimisht ajo nuk duhet të jetë një pengesë për integrimin tonë në NATO. Për fat të keq, Greqia si një anëtare e plotë e Aleancës, kërcënon të përdorë veton e saj. Në këtë mënyrë, ajo përpiqet të vërë interesin e saj mbi atë të Aleancës në këmbim dhe me çmimin e stabilitetit rajonal.
Setimes: Çfar do të ndodhë në qoftë se vetoja prapë përdoret? Ju dhe qeveria keni një qëndrim të përbashkët: në rast se zgjedhja vjen te emri apo një ftesë në NATO, Maqedonia duhet të zgjedhë emrin e saj.
Crvenkovski: Sinqerisht, unë kam shpresë se kjo nuk do të ndodhë. Republika e Maqedonisë është sinqerisht dhe me forcë e vendosur të bëhet një anëtare e NATO-s. Në vitet e shkuara ne kemi punuar me përkushtim për të arritur këtë qëllim dhe ne e mertojmë ftesën. Nuk është as e drejtë dhe as në frymën e vlerave bazë mbi të cilat mbështetet Aleanca që të na kërkojë ne të paguajmë për anëtarësimin duke hequr dorë nga identiteti ynë kombëtar e kulturor.
Setimes: Ju keni vizituar paqeruajtësit maqedonas në Irak. Cila ishte përvoja dhe sa fiton Maqedonia duke kontribuar në këto misione paqeruajtëse?
Crvenkovski: Ushtarët maqedonas po marrin pjesë në misionet ushtarake në Irak, Afganistan, Bosnje dhe Herzegovinë dhe Liban. Në këtë mënyrë, ne ndërkohë po sillemi si një anëtar i plotë dhe i përgjegjshëm i NATO-s dhe po japim kontributin tonë në operacionet e paqes në mbarë botën.
Ushtra maqedonase jep shumë më tepër se ç'merr nga marrëveshje të tilla por ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për pjesën tonë të përgjegjësisë dhe gadishmërisë për ndeshur sfida të tilla.
![]() Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Shefer (djathtas) dhe Crvenkovski flasin me gazetarët pas një takimi në selinë e NATO-s vitin e shkuar. [Getty Images] |
Setimes: Jeni i kënaqur ju me bashkëjetesën me qeverinë?
Crvenkovski: Kur vjen puna te çështje kyçe për Republikën e Maqedonisë, unë dhe qeveria kemi bashkëpunim të kënaqshëm dhe qëndrime të harmonizuara.
Sigurisht, bashkëjetesa mundet dhe duhet ngritur në një nivel më të lartë, por kjo është diçka për të cilën mua nuk më pëlqen të flas veçanërisht në këtë periudhë.
Setimes: Sa larg është Maqedonia në udhën e saj në anëtarësimin e plotë në BE? Jeni ju i kënaqur me tempin e reformave?
Crvenkovski: Është objektivi ynë të përmbushim të gjitha parakushtet e domosdoshme në 2008 me qëllim që të na jepet një datë për të filluar negociatat e pranimit si dhe për të kompletuar me suskse dialogun mbi liberalizimin e regjimit të vizave.
Realisht, këto janë objektiva të arritshëm. Mua më vjen keq që për shkak të dobësisë sonë, ne nuk i arritëm ato vitin e shkuar.
Unë kam besim se reformat do të intensifikohen në disa muajt pasues.
Setimes: Prisni ju që Maqedonisë t'i jepet një datë e negociatave deri nga fundi i vitit?
Crvenkovski: Republika e Maqedonisë ka si kapacitetin institucional dhe potencialin demokratik dhe më e rëndësishmja, një vendosmëri të fortë, për të marrë një datë negocimi deri nga fundi i 2008.
Setimes: Kohët e fundit, ambasadori i SHBA kujtoi nevojën për një zbatim komplet të marrëveshjes së majit nënshkruar midis qeverisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrimin (BDI). E mbështesni ju zbatimin e kësaj marrëveshjeje?
Crvenkovski: Marrëveshjet bëhen për t'u zbatuar. Përndryshe, në qoftë se dikush u ikën detyrimeve të marra përsipër, ka humbur sensi i dialogut politik. Unë kam shpresë se partitë që përfunduan marrëveshjen e majit, në këtë rast kryeministri Gruevski dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë.
Setimes: Ju udhëtoni shpesh në vendet në rajon. Cili është opinioni juaj rreth bashkëpunimit të vendeve në Ballkan dhe sa shumë, sipas pikpamjes suaj, është e rëndësishme kjo?
Crvenkovski: Bashkëpunimi rajonal është me rëndësi kyçe. Unë jam i kënaqur me fakin se në këtë drejtim, situata sot është pakrahasimisht më e mirë se dhjetë vjet të shkuara.
Rajoni po ndeshet me një shans të ri historik. Dhe të gjitha vendet janë të vendosura për të njëjtat vlera demokratike dhe perspektivat e përbashkëta evropiane. Kjo duhet vënë në përdorim.