SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/05/15/feature-03

Policia shkatërron rrjetin e trafikut njerëzor që vepronte në aeroportin e Shkupit

15/05/2008

Një bastisje policore e quajtur Meni shkatërroi një rrjet që transportonte imigrantë të paligjshëm nëpërmjet aeroportit Aleksandri i Madh në Shkup. Me 3,000 deri 5,000 euro, ai fallsifikonte dokumentet e udhëtimit dhe vizat dhe jepte bileta avionësh për kosovarët, kinezët, kurdët dhe turqit.

Nga Goran Trajkov për Southeast European Times në Shkup - 15/05/08

photo

Shtatë vetë u kapën muajin e fundit në aeroportin Aleksandri i Madh, të Shkupit. [Getty Images]

Ndërsa Maqedonia kërkon liberalizimin e vizave nga BE, ajo po godet trafikun njerëzor. Në 8 maj, vendi mori një listë kërkesash të tilla si "menazhimi i integruar i kufirit" që duhet të përmbushë përpara se shtetasit e saj të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE duke filluar nga 2009.

Në 20 prill, policia arrestoi shtatë vetë nga Shkupi që dyshohet se bënin pjesë në kontrabandën e paligjëshme të imigrantëve në vendet perëndimore gjatë dhjetë viteve të fundit. Ajo e ndoqi grupin për një vit dhe bëri arrestime në Shkup. Besnik Gudjufi, Menduh Adjami dhe Enes Kamberov janë organizatorët e dyshuar. Të tjerë të ndaluar qenë Isuf Ramadani, vëllezërit Semi dhe Naser Brahimi dhe Lajla Baftijar. "Grupi kriminal organizonte një rrjet për trafikun njerëzor në vendet perëndimore," tha ministrja e brendëshme Gordana Jankulovska. Ajo ju veshi ndërhyrësve të fshehtë mbledhjen e "provave dhe dokumentacionit të kontrabandës së nëntë vetëve nga Kosova".

Grupi dërgonte njerëz nga Kosova në Gjermani, Suedi, Francë dhe Zvicër nëpërmjet aeroportit Aleksdandri i Madh. Klientët që kishin dokumente udhëtimi serbe apo të lëshuara nga UNMIK i Kosovës merrnin viza të fallsifikuara, bileta avioni dhe strehim në vendet e destinuara.

Sipas ministrisë së brendëshme, operacioni policor Meni nisi vitin e kaluar me hetimet dhe depërtimin. Pas vënies së këtyre masave, policia kapi dy emigrantë dërguar nga ky grup në 11 gusht 2007, duke i gjetur ata në një fluturim Shkup-Gjenevë. Autoritetet kapën pesë të tjerë emigrantë të ardhshëm që fluturonin nga Shkupi në Paris një muaj më pas.

Gjatë dhjetë deri 15 vjet ekzistence të rrjetit të kontrabandës, mijra klientë të tij, kaluan nëpër aeroport, duke ju dhënë trafikantëve milion euro. Tre anëtarë të rrjetit të cilët policia nuk mund t'i gjente, morën afate burgimi në mungesë.

Që ky hetim t'ja dilte, policisë maqedonase ju desh të bashkëpunonte nga afër me autoritetet në vendet e destinacionit të imigrantëve. Hetimi ndërkombëtar zbuloi perëndimorë të lidhur ngushtë me grupin e Shkupit që merrnin gjithashtu pjesë në kontrabandë.

Vitin e kaluar, policia kapi 176 imigrantë të paligjshëm dhe arrestoi 91 vetë të dyshuar për trafik njerëzor. Midis imigrantëve qenë 79 shqiptarë, 46 kinezë, 28 banorë të Kosovës, dhjetë gjeorgjianë, gjashtë maqedonas, pesë turq dhe dy molldavë. 91 trafikantët e dyshuar përfshinin 85 maqedonas, dy shqiptarë, dy suedezë, një molldav dhe një turk. Ministria e brendëshme thotë se numri i rasteve të trafikut njerëzor të zgjidhur nga policia në 2007 u rrit me 46% në krahasim me numrin në 2006.