SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/05/13/feature-01

BE bën thirrje për formim të shpejtë të qeverisë së re serbe

13/05/2008

Zyrtarët e BE i kërkuan Serbisë të hënën të lëvizë shpejt në formimin e një qeverie që mund të përshpejtohet në rrugën e integrimit evropian.

(FT, Independent, Telegraph, Blic, B92 - 13/05/08; AP, Reuters, AFP, DPA, BBC, Balkan Insight, Beta, B92 - 12/05/08)

photo

Përkrahësit e Partisë Demokratike kremtojnë fitoren në zgjedhjet e së dielës (11 maj). [Getty Images]

Vendet e Ballkanit, Shtetet e Bashkuara dhe BE përshëndetën të hënën (12 maj) përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në të cilat koalicioni rreth Partisë Demokratike (DS) të presidentit Boris Tadiç fitoi shumicën e votave.

Presdidenti kroat Stipe Mesiç theksoi se fitorja e koalicionit "Për një Serbi evropiane" ndaj forcave nacionaliste është ogur i mirë për të ardhmen e gjithë rajonit.

"Përfundimi i zgjedhjeve tregon gjithashtu se ne do të kemi një vend fqinjë në të cilin një numër i respektueshëm njerëzish... nuk janë të përqëndruar në të kaluarën," tha ai.

Zyrtarët në vendet e Ballkanit, duke përfshirë Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën, i bënë jehonë vërejtjeve të Mesiç, ndërsa përshëndetën përfundimin e votimit më të rëndësishëm të Serbisë që kur se forcat demokratike rrëzuan regjimin e Slobodan Millosheviçit në tetor 2000.

Fitorja e koalicionit pro-evropian të Tadiç në votimin e së dielës erdhi si një surprizë, pasi sondazhet para-zgjedhore kishin treguar se ai vinte pas Partisë ultranacionaliste Radikale të Serbisë (SRS).

Komisioni shtetëror zgjedhor tha të hënën se "Për një Serbi evropiane" fitoi 38.44% të votave dhe do të ketë 102 nga 250 vendet në legjislaturën e vendit. SRS vjen pas me 29.36% dhe 77 vende.

Forca e kampit të Tadiç gëzoi qeveritë perëndimore dhe zyrtarët e lartë të BE që gjithashtu çmuan votuesit serbë për mbështetjen e integrimit evropian.

"Elektorati serb ka demonstruar qartë se zemra e vet është në Evropë," tha të hënën në një deklaratë ambasada e SHBA në Beograd.

Komisioneri i zgjerimit të BE, Olli Rehn u bashkua me korin e diplomatëve të lartë nga blloku 27-anëtarësh, në përshëndetjen e suksesit të kampit të Tadiç dhe sinjalizoi gadishmërinë e Brukselit për të mbështetur përparimin e shpejtë të Serbisë në procesin e pranimit.

"Komisioni Evropian...përshëndet suksesin e forcave reformiste që ndajnë vlerat evropiane," tha Rehn. "BE është gati të përshpejtojë kursin e saj të BE, duke përfshirë dhënien e statusit të kandidatit." Ai dhe zyrtarë të tjerë i bënë thirrje kabinetit të ri të mblidhet shpejt.

"Unë shpresoj se një qeveri e re e cila do të jetë e patundur në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të domosdoshme për përparimin e mëtejshëm drejt Evropës, do të formohet shpejt," tha të hënën shefi i politkës së jashtme të BE Havier Solana. Por ndërsa as koalicioni i Tadiç as SRS nuk ja kanë dalë të sigurojnë një shumicë 126 vendëshe në parlament, të dy ato po kërkojnë partnerë koalicioni.

E renditur në vendin e katërt, një koalicion i kryesuar nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS) që udhëhiqej më parë nga Millosheviç, koalicion i cili fitoi 7.6% të votave dhe do të ketë 20 vende në parlament, shihet si vendimtar.

Koalicioni midis Partisë Demokratike trë Serbisë të kryeministrit që largohet Vojislav Koshtunica dhe Serbia e Re, e cila ishte e treta me 11.59% të votave që do të thotë 30 vende në parlament, sinjalizoi gadishmërinë e saj për t'u bashkuar me një koalicion qeveritar të kryesuar nga SRS. Kreu i ngarkuar i SRS Tomislav Nikoliç u takua të hënën me Koshtunicën për të diskutuar formimin e një kabineti të përbashkët. Së bashku me vendet e SPS ato mund të kenë një shumicë 127 vendesh.

Vëzhguesit konsiderojnë të pamundshëm një koalicion midis Tadiç dhe Koshtunicës pasi e çara e tyre lidhur me përpjekjen e vendit për në BE është thelluar pasi shumica e vendeve anëtare të BE njohën pavarësinë e Kosovës. Kështu që presidentit do t'i duhen gjithashtu Socialistët dhe disa nga koalicionet etnike për të siguruar një shumicë parlamentare. Partia pro-perëndimore e Çedomir Jovanoviç e cila fitoi 5.24% të votave dhe do të marrë 13 vende në parlament, ka lënë të kuptohet se është kundër aleancës me SPS.