SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/03/13/feature-01

Turqia planifikon të derdhë miliarda në juglindjen e varfër

13/03/2008

Turqia po planifikon të investojë deri në 12 miliard $ në një program tërësor pesë-vjeçar për juglindjen e vet të mbizotëruar nga kurdët, në një orvatje për të përmirësuar standardet jetësore në rajon dhe për të hequr të rinjtë nga veprimtaritë militante.

(Christian Science Monitor, Zaman, Turkish Daily News, Hurriyet - 13/03/08; The New York Times, UPI, VOA, The New Anatolian - 12/03/08; Hurriyet - 11/03/08)

photo

Tregtarët bisedojnë përpara dyqaneve të tyre në qytetin juglindor turk Sanliurfa. Qeveria ka në plan të investojë 12 milirad $ në rajon si pjesë e një pakete nxitëse ekonomike. [Getty Images]

Turqia po përgatit një program shumëmiliard dollarësh për juglindjen e vet të mbizotëruar nga kurdët, që ka për qëllim rritjen e punësimit në rajon dhe shkëputjen e të rinjve nga militantizmi, tha kryeministri Rexhep Tajip Erdogan në një intervistë botuar të mërkurën (12 mars).

"Gjithshka që mund të shohim në pjesën perëndimore të vendit, ne mund ta shohim në lindje," i tha ai New York Times në Ankara të martën.

Qeveria po planifikon të caktojë 12 miliard $ për të mbështetur një seri projektesh në rajonin e varfër, streha e shumicës prej afërsisht 12 milion kurdëve të Turqisë. Programi pritet të krijojë punë të reja dhe të përmirësojë kështu standardet në atë pjesë të vendit si edhe të fshijë mbështetjen për Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) klasifikuar si një organizatë terroriste si nga Shtetet e Bashkuara dhe nga BE.

Erdogan i tha Times se projektet e parashikuara në programin pesë-vjeçar do të përfshinin ndërtimin e dy digave të mëdha dhe të një sistemi vaditës si edhe kompletimin e shtruarjes së rrugëve dhe heqjen e minave tokësore nga fushat përgjatë kufirit me Sirinë.

Ndërsa planet për nismën e re do të finalizohen brenda dy muajve, kryeministri pritet ta paraqesë atë zyrtarisht gjatë një vizite në rajon në 6 prill.

Ai "do të bëjë deklarime shumë të rëndësishme në Dijarbakir," ish këshilltari Mehmet Metiner, që është vetë një kurd, u citua të thoshte më parë këtë javë. "Ai do të japë nisma të rëndësishme për të nxitur kulturën dhe gjuhën kurde si dhe një paketë gjithpërfshirëse për rajonin."

Vërejtjet e Erdogan erdhën pas ofensivës tokësore të trupave turke kundër militantëve të PKK në Irakun e veriut muajin e kaluar dhe bisedimeve të tij me presidentin e Irakut Xhalal Talabani në Ankara të premten. Ai tha se vetëm veprimi ushtarak nuk është mjaft për të luftuar terrorizmin.

"Lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm kjo...Ajo ka gjithashtu një pjesë social-akonomike, një pjesë psikologjike, një pjesë kulturore,' tha Erdogan në intervistën e tij.

Ndaj përveç masave ekonomike, qeveria planifikon t'i kushtojë një kanal shtetëror televizioni transmetimit në gjuhën kurde, që do të përmbushte një kërkesë prej kohësh të kurdëve turq. Kanali i televizionit që pritet të nisë punën në disa muaj, do të japë gjithashtu programe në persisht dhe arabisht.

"Ky do të jetë hapi më i rëndësishëm në ofrimin e të drejtave kulturore në rajon," citon Times të thoshte Erdogan.

Ai përsëriti gjithashtu gadishmërinë e Ankarasë për të përmirësuar lidhjet me kurdët e Irakut që ajo i ka fajësuar për mbështetjen e rebelëve të PKK vendosur në veri të vendit, duke e përdorur atë si platformë për sulmet ndërkufitare në Turqi.

"Ne jemi porta më e rëndësishme për Irakun e veriut për t'u hapur në botë. Ne jemi porta më e shëndetshme," tha Erdogani.

Rebelët e PKK kanë luftuar për vetëvendosje në Turqinë juglindore që nga 1984. Më tepër se 30,000 vetë u vranë në konfliktin e armatosur me forcat turke deri në 1999, vit pas të cilit disa mijra militantë ikën në Irakun e veriut.

"Gjithkush që ka hyrë në Irak deri tani do të rrijë për ca kohë dhe do të ikë, por ne do të rrimë," i tha Erdogan Times. "Ne kemi të afërm në Irakun e veriut. Dhe njerëzit që jetojnë atje kanë të afërm në rajonin tonë juglindor. Me kë do të kemi ne marrëdhënie të mira përveç se me veten tonë?"