SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/02/25/feature-02

Komandot turke luftojnë terroristët e PKK në Irakun e veriut

25/02/2008

Ushtria turke përsërit se i vetmi qëllim i sulmit të saj tokësor është të shkatërrojë kampet e PKK dhe se trupat do të kthehen në atdhe sapo kjo të arrihet.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 25/02/08

photo

Një ushtar turk përdor një dedektor minash tokësore ndërsa patrullon një rrugë pranë kufirit Turqi-Irak në krahinën juglindore kryesisht kurde të Sirnak. Ushtria turke nisi një ofensivë tokësore në Irakun e veriut të enjten (21 shkurt). [Getty Images]

Ofensiva ajrore e tokësore e Turqisë në Irakun e veriut kundër Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), operacioni më i madh i tillë në një dhjetvjeçar, vazhdoi në Irakun e veriut të hënën (25 shkurt) nën vëzhgimin ndërkombëtar.

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan përsëriti të dielën se ofensiva qe drejtuar jo kundër Irakut dhe popullit në Irakun e veriut. Ai tha se shumë përpjekje po bëheshin për të izoluar PKK nga shoqëria irakene. Zëdhënësi i qeverisë qendrore të Irakut Ali al-Dabagh tha në fundjavë se Iraku e kupton rrezikun që Turqia ndesh nga PKK.

Sekretarja e shtetit e SHBA Kondoliza Rajs komentoi për ofensivën duke thënë se PKK është një armik i popullit dhe qeverisë së Irakut sepse territori i Irakut nuk duhet të përdorej për të nisur operacione terroriste.

Ndërsa luftimet u intensifikuan, shtabi i përgjithshëm turk njoftoi të dielën se së paku 112 militantë të PKK qenë vrarë dhe po ashtu 15 ushtarë turq. Gjithashtu të dielën, ushtria tha se një nga helikopterët e saj u rrëzua në kufirin Turqi-Irak.

Në tre ditët e para të operacioneve, forcat ajrore e tokësore turke shkatërruan 63 objektiva duke përfshirë strehime terroriste, qendra logjistike dhe municioni. Tre kampe të PKK, Zap, Hakurk dhe Avasin, qenë objektivat e parë të fillimit të operacioneve.

Ofensiva nisi midis presionit publik në rritje dhe një debati për një muaj midis Ankarasë, Uashingtonit dhe Bagdadit. PKK, deklaruar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE rriti sulmet terroriste gjatë 13 muajve të fundit duke vrarë më tepër se 120 vetë nga personeli i sigurimit.

Forcat e armatosura turke e kanë koduar ofensivën e tyre tokësore "Gunes" ose Dielli, sipas një vajze tre-vjeçare babai i së cilës, një rreshter i ushtrisë u vra nga PKK gjatë operacioneve në malet Gabar tetorin e shkuar.

Shtabi i përgjithshëm turk nuk tregoi numrin e saktë të forcave në Irakun e veriut por theksoi se ky ishte një mision i kryer kryesisht nga forcat e posaçme për të spastruar zonën nga terroristët e PKK. Qeveria e Irakut tha se më pak se 1,000 trupa turke kishin kaluar kufirin ndërsa burmniet turke të mbrojtjes e shpunë atë shifër në rreth 5,000. Një batalion u kthye në atdhe të dielën natën, raportuan agjensitë lokale.

Ankaraja thotë se rreth 3,500 terroristë të PKK janë në Irakun e veirut dhe po përdorin rajonin si një tramplinë për sulmet ndërkufitare.

Forcat e armatosura turke kanë kryer katër operacione të mëdha tokësore kundër objektivave të PKK në rajon në 16 vitet e fundit, më së afërmi në 1997. Më tepër se 5,000 terroristë të PKK u vranë dhe rreth 2,000 terroristë u kapën në këto operacione.

Një ekspert i shquar mbi PKK dhe kundërterrorizmin, Nihat Ali Ozkan, tha se operacioni i pestë i madh në vazhdim nuk do të ishte një zgjidhje e vetme për problemin e PKK. "Është tashmë një plan më i gjerë me elementë politikë, ligjorë e ekonomikë që ka për qëllim eleminimin e kërcënimit të PKK," tha ai.

Sipas Ozkan, operacioni i fundit jo vetëm do të shkatërronte infrastrukturën e PKK dhe do të dobësonte aftësinë e saj për të nisur sulme ndaj objektivave turke në pranverë por do të jepte gjithashtu një "goditje psikologjike" të madhe për grupin, i cili ka gëzuar gjatë lëvizje të lirë në Irakun e veriut.

Megjithatë, një tjetër analist, oficeri në pension i ushtrisë turke Çelaletin Javuz beson se objektivi politik i operacionint të fundit të Turqisë nuk kufizohet në shkatërrimin e PKK. "Në një deklaratë, shtabi i përgjithshëm turk thekson rëndësinë që ai bashkëngjit ndaj integritetit territorial të Irakut dhe stabilitetit të tij. Qëllimi politik i këtij operacioni është të parandalojë daljen e mundshme të një shteti të ri në fqinjësi me Turqinë," tha ai.

Shtetet e Bashkuara që po bashkëpunon me aleaten e vet të NATO-s, Turqinë në luftën kundër PKK, kërkoi përfundimin e shpejtë të operacionit tokësor. "Sa më shkurt aq më mirë," tha sekretari i mbrojtjes i SHBA Robert Gates duke theksuar se operacionet ushtarake nuk do të ishin të mjaftueshme për të zgjidhur problemin.

"Unë mendoj se e gjithë përvoja jonë në Irak e Afganistan na tregon se ndërsa trajtimi i një problemi terrorist kërkon operacione të sigurisë, ai kërkon gjithashtu nisma politike e ekonomike," tha Gates gjatë një vizite në Australi. Gates pritet të mbajë bisedime tërësore mbi problemin e PKK me zyrtarët turq në 27 dhe 28 shkurt në Ankara.

Grupi kurd iraken, i cili trëmbet se një prani ushtarake turke në rajon do të pengonte autonominë e tyre rajonale, ka kritikuar me forcë ofensivën dhe i kërkoi Shteteve të Bashkuara të rritë presionin ndaj Turqisë për të tërhequr trupat.

Ushtria turke paralajmëroi të dielën që grupet kurde irakene të mos strehojnë terroristët e PKK që "po përpiqen të ikin me panik në drejtim të jugut. Grupet lokale të Irakut pritet të parandalojnë anëtarët e organizatës terroriste, armikut më të madh të paqes dhe stabilitetit rajonal, nga hyrja në rajonet e tyre dhe qënia të mbrojtur atje," thoshte deklarata nga shtabi i përgjithshëm turk.