SETimes
Published on SETimes (http://www.setimes.com)
http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2008/01/18/feature-01

Turqia debaton "besueshmërinë" e gazit të Iranit

18/01/2008

Pezullimi i furnizimeve me gaz natyror nga Irani në Turqi më parë këtë muaj ka bërë që zyrtarët turq të eksplorojnë marrëdhënie me të tjera vende që furnizojnë gaz e naftë.

Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 18/01/08

photo

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi Iranit javën e shkuar të rinisë eksportet e gazit për Turqinë. [Getty Images]

Më parë këtë muaj, Irani pezulloi furnizimet me gaz natyror në Turqi duke përmendur një rritje në kërkesën vendase për shkak të motit të ftohtë si edhe nga një rënie në fluksin e gazit natyror nga Turkmenia. Masa, nga ana tjetër, bëri që Turqia të pezullonte transportin e furnizimeve me gaz në Greqi. Si Turqia dhe Greqia u kthyen edhe një herë nga Rusia për të shmangur një krizë të madhe energjitike gjatë kushteve të ashpra të dimrit. Irani nuk mund të specifikonte të enjten (17 janar) se kur do të riniste dërgesat e gazit në Turqi dhe fajësoi zyrtarët turq që vepronin "imoralisht". Irani zakonisht eksporton deri në 30 metra kub gaz natyror në ditë në Turqi, ndërsa importon afërsisht 23 metra kub në ditë nga Turkmenia.

"Është e vërtetë se Irani ka rezervat e dyta më të mëdha në botë me gaz natyror, por aktualisht atij i mungojnë aftësitë për prodhimin dhe Irani vetë varet për gazin nga Turkmenia," tha eksperti turk i energjisë Faruk Demir. "Kështu që për tani, nuk është një alternativë reale ndaj gazit rus."

Turkmenia tha se "probleme teknike" kishin shkaktuar pezullimin e eksporteve të gazit në Iran. Megjithatë, Turkmenia dhe Rusia kohët e fundit nënshkruan një marrëveshje energjie sipas së cilës Moska tani paguan 9 euro për 1,000 metra kub gaz turkmen dhe Turkmenia thuhet se po kërkon një rritje të ngjashme nga Irani.

Për të reduktuar vartësinë e vet nga gazi rus, qeveria turke nënshkroi një marrëveshje me Iranin vitin e shkuar, një marrëveshje e kritikuar nga Shtetet e Bashkuara. Ajo parashikonte një investim 2 miliard euro nga Turqia në fushën e gazit Parsi e Jugut të Iranit si edhe ndërmarrje të përbashkëta për një sistem tubacioni që do të zgjatej në Turqinë lindore.

Uashingtoni shprehu shqetësimin e vet mbi marrëveshjen për shkak të një politike sanksionesh të vitit 1996 kundër vendeve që investojnë në Iran. Megjithatë, disa ekspertë turq të energjisë besojnë se Irani është i gatshëm të bashkëpunojë në zgjidhjen e krizës mbi planet e veta bërthamore duke u hapur kështu rrugën investimeve të reja që do të zhvillonin rezervat e pasura me gaz natyror të vendit.

Turqia ka blerë gaz iranian që nga viti 2001, por furnizimi është i paqëndrueshëm, duke u ndeshur me pezullime çdo vit gjatë kushteve të ashpra të dimrit.

Për të shmangur këtë pasiguri, Turqia ka nisur të shohë Irakun si një opsion. Javën e shkuar, ministri i energjisë Hilmi Guler njoftoi se Turqia do të punojë me Shtetet e Bashkuara për të rritur transportin e gazit natyror dhe naftës së Irakut. Turqia dhe Shtetet e Bashkuara ranë gjithashtu dakord të eksplorojnë bashkërisht burimet energjitike të Irakut, tha ai.

Shumë ekspertë të energjisë besojnë se Turqia duhet të vendosë në se do të intensifikojë bashkëpunimin me Iranin apo të eksplorojë burimet e gazit e naftës së Irakut me Shtetet e Bashkuara. Më parë këtë javë, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan tha se qeveria do të konsiderojë plane për bashkëpunim më të ngushtë me Iranin në çështjet e energjisë.

"Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë, partneri ynë strategjik. Por [as] Shtetet e Bashkuara apo Izraeli nuk ka burime për të përmbushur nevojat energjitike të Turqisë," tha ai.