31/03/2008
Të njëmbëdhjetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën njëzëri të hënën në favor të dëgjimit të një rasti sjellë nga kryeprokurori i Turqisë.
Nga Ajhan Shimshek për Southeast European Times -- 31/03/08
![]() Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan mund të ndalohet nga politika në qoftë se padia ja del. [Getty Images] |
Gjykata Kushtetuese e Turqisë vendosi të hënën (31 mars) ta shpjerë në gjyq Partinë qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) me akuza për prishjen e sistemit sekular të vendit. Në një votim unanim, 11 gjyqtarët qenë dakord të dëgjonin rastin e sjellë nga kryeprokurori i Turqisë Abdurrahman Jalçinkaja.
"Gjykata Kushtetuese ka gjetur padinë e kryeprokurorit të jetë e pranueshme. Por kjo nuk do të thotë se gjykata e lartë është dakord me pretendimet e cituara në padi," i tha CNN Turk gazetari Taha Akyol. "Tani ajo do të dëgjojë peticionin."
Jalçinkaja ngriti padinë e vet në 14 mars, duke kërkuar ndalimin e partisë. Ai e akuzoi AKP për bërjen një "pikë qendrore" për veprimtaritë anti-laike dhe pretendoi se ajo kishte një "axhendë të fshehtë" që kishte për qëllim transformimin e Turqisë në një shtet islamik.
Ai kërkoi gjithashtu që 71 zyrtarë, duke përfshirë kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan dhe presidentin Abdullah Gul, të ndaloheshin nga politika për pesë vjet. Gjykata u nda lidhur me shpënien e Gul në gjyq, me katër gjykatës kundër dhe të tjerët në favor. Sipas kushtetutës, një president mund të gjykohet vetëm me akuza për tradhti.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lëvizjes Kombëtare (MHP), Çihan Paçaçi ishte i pari të komentonte mbi vendimin. "Nga tani e tutje, do të nisë një proces ligjor. Gjithkush duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese."
AKP e përshkruan veten si një parti demokratike konservatore. Ajo korri një fitore të madhe në zgjedhjet e e vitit të kaluar, duke marrë 47% të votave. Muajin e shkuar, duke tronditur sekularistët, ajo ja doli të heqë një ndalim mbi mbajtjen e shalleve islamike të kokës në universitete.
Kjo masë, sipas Jalçinkajës, është provë se partia po rreket të riformojë Turqinë përgjatë linjave fetare. Në padinë 162-faqëshe, prokurori citon gjithashtu deklarime të ndryshme nga Erdogan që i referohen Islamit dhe ligjit islamik.
Gjyqi pritet të marrë gjashtë muaj. Si hap i parë, Gjyakat Kushtetuese do ta përcjellë padinë tek AKP e cila ka një muaj për të dalë me një deklarim mbrojës. Pas kësaj, Jalçinkaja do të lëshojë një opinion teknik mbi rastin.
Më pas, zyrtarët e AKP do të dëshmojnë në mbrojtjen e tyre. Sapo të kompletohet procesi, raportuesit e Gjykatës Kushtetuese do të përgatisin një raport teknik.
Pasi raporti të jetë gati, të 11 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do ta shqyrtojnë atë. Ata do të mblidhen pastaj të vendosin mbi rastin. Duhen së paku shtatë vota të tyre për ta mbyllur AKP.
Tetë nga 11 gjykatësit e panelit janë caktuar nga ish presidenti Ahmet Nexhdet Sezer, një sekularist i vendosur i cili u përlesh shpesh herë me AKP.
Ndërkohë, partia qeverisëse ka në plan të futë një seri amendamentesh kushtetuese që kanë për qëllim ta bëjnë më të vështirë mbylljen e partive. Me partitë e opozitës që nuk dëshërojnë të mbështesin ndryshimet e propozuara, megjithatë, ajo mund të përfundojë e vënë përpara publikut në një referendum.